Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Këshillit të Europës, është pritur pozitivisht në Kosovë!
Reagimi i parë ka ardhur nga ish-kryeministri i Kosoves Avdullah Hoti, i cili tha se Shqipëria është zëri i Kosovës për përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e pavarësi.
Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka komentuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Evropës, i cili kundërshton raportin e Dick Marty-t.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ish-kryeministri kosovar shkruan se Shqipëria mbetet zëri i tyre, derisa Kosova të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë.
“Faleminderit Kryeministër Edi Rama për fjalën në Këshillin e Evropës.
Derisa Kosova të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, Shqipëria mbetet zëri i jonë, krahas vendeve mike që kanë mbështetur përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, shkruan Hoti.
Daut Haradinaj nga AAK ka reaguar pas fjalimi të kryeministri Edi Rama në Këshillin e Evropës, ku shpreh falënderime, ndërsa e cilëson si “të saktë dhe të vërtetë si asnjëherë më parë.”
“E përcolla me vëmendje Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Ishte i saktë dhe i vërtetë si asnjëherë më parë. E vërteta vonon por gjithmonë triumfon. Respekt Kryeministër.”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Ndërsa Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, u shpreh se fjala e Ramës ishte një përfaqësim dinjitoz i shtetit shqiptar. Politikisht ishte një fjalim i fuqishëm, moralisht i lartë që i shkon KiE-së, por edhe një teme që është shumë e ndjeshme për Kosovën.
“Unë kam qenë ministër kur ka dalë raporti i Dick Marty. Rama ka thënë sot një të vërtetë të madhe rreth origjinës sesi është iniciuar një raport i tillë.
Mbi të gjitha, ai raport ka pasur qëllime gjeopolitike, që të goditet lufta e shenjtë për liri, që të goditet shteti i ri, e ardhmja europiane.
Nga Prishtina më thanë se i jemi mirënjohës kryeministrit Rama dhe gëzon respektin e qytetarëve të Kosovës dhe timin si deputet i Kuvendit”, u shpreh Hoxhaj.