Nga Pajtim Bello
Prej 11 vitesh në labirinthet e Pallatit të Asamblesë së Këshillit të Europës ka qenë ndrydhur një e uluritëse mbi një ngjarje të mbrujtur nga pansllavistët antishqiptarë dhe të çertifikuar nga Salla e kësaj Asambleje të nderuar. E vërteta uluritëse shkapetej faqeve të murit të akullt të koridoreve e zyrave të rënda, pa gjetur rrugëdalje prej tyre. Në12 Tetor 2022 labirinthet e këtij pallati u tronditën; e vërteta e madhe u gërmëzua një për një me zë dhe autoritet institucional e personal nga Kryeminsitri i Shqipërisë.
Kjo tronditje u shpreh sa me dëgjesën e heshtur të shumë prej përfaqesuesve në këtë Asamble edhe me refuzimin për të shkuar në një darkë të shtruar prej Misionit Shqiptar në këtë institucion edhe pse e patën konfirmuar pjesmarrjen. Po them gjëra që dihen sepse e kam të vështirë të dal atje ku dua. Një gjë është lehtësisht e dukshme: Edi Rama nuk foli per vehte dhe as më vehte. Nën këtë prizëm Shqipëria dhe Kosova janë përfshirë në një debat ndërkombëtar për një çështje shumë të madhe, tepër parimore: dinjiteti i të qenit shqiptar, drejtësia dhe nderi i një lufte çlirimtare dhe atyre që e bënë këtë luftë.
Duke e pare kështu siç është, e kam të vështirë të kuptoj të gjithë ata që nuk janë shprehur dakord më veprimin e Edi Ramës apo më tepër që kanë sulmuar Atë me lloj pretekstesh: se kombet e vogla nuk mund të thonë gjëra të mëdha!,., se gjuha dhe fjalimi mbartin doza të larta arrogance!.., se gjithçka u bë ofendoi dhe cënoi integritetin moral të Asamblesë së KE!.., se kjo sjellje e Edi Ramës dërgoi në burg Hashim Thaçin!.., se nuk ka thënë ato që dikush i ka në mëndje!..etj. Por çfarë bëri Edi Rama që nuk e paskanë kuptuar dhe nuk e honepsin këta shqiptarë?! Në Fjalimin e vet trajtoi fakte, argumenta. Ka shfrytëzuar rrethanat, koniuktura të reja politike e dipllomatike dhe kohën për të folur nga një tempull si Asambleja e KE.
Kush ka për të shtuar mbi fjalimin e Edi Ramës le ti shtojë e të bashkohet në këtë betejë dhe jo të kundërshtojë, duke i bërë bisht së vërtetës! Këta harrojnë apo kinse bëjnë sikur harrojnë, që kështu haptazi dhe thjesht i kundërvihen Shqipërisë, Kosovës e mbi tëgjitha UÇK, Udhëheqjes së UÇK dhe luftës çlirimtare të saj bashkë me popullin e Kosovës!! Një fjalë popullore thotë: “Për inat të sime vjehrre shkoj e fle me mulixhinë!”. Në këtë rast ka nga ata që flenë me mullixhine jo prej inatit të vjehrrës; ndoshta nga zorrilja apo nga dëshira e vet!.. Koha dita ditës do ta provojë motivin e vërtetë. Ku më mire mund të atakohej Raporti i Dik Martyt përvëçse në atë pallat ku u çertifikua dhe mori jetë ky raport?! Shumë prej kundërshtarëve, më herët, e kanë sulmuar raportin e Dik Martyt ne media dhe nëpër kafene.
Tashmë që Edi Rama kërkon ta zhbëjë raportin dhe rezoluten e Asamblesësë KE po në atë Pallat ku u bë votimi i gabuar, ata na çfaqen kritikë e mosbesues me lloj lloj pretekstesh deri sa bëhen edhe qesharakë! E vërteta asnjëherë nuk ka triumfuar më një betejë dhe është vështirë që atë ta arrijë një i vetëm! Shqiptarët e kanë provuar këtë më shumëherës e disa popuj të tjerë. Unë do të thoshja se beteja e parë u fitua por jo e gjithë lufta. U rrëzua miti i paprekshmërisë së asaj Rezolute dhe kjo brenda pallatit ku mori jetë kjo rezolutë, pa lëre më si u katandis vërtetësia e raportit të Dik Martyt! Tashmë është koha që të gjithë të ‘rrjeshtohen’ shqiptarisht dhe institucionalisht pavarësisht sa e duan apo sa e urrejnë nismëtarin e kësaj beteje. Presidentët, Kryeminsitrat, ministrat apo edhe personalitete nga të dy shtetet shqiptare apo kahjet politike duhet tëf lasin me gjuhën e së vërtetës.
Është momenti që të reagojmë dhe të shfaqemi të bashkuar në këtë betejë që do të zgjasë. Koha na jep mundësinë tërivlerësojmë gjithçka, të reflektojmë dhe të bashkojmë mëndjet, duart dhe fuqitë. Të mos hezitojmë të korigjojmë trajektoren. Çështja është madhore dhe na kërkon të jemi një. Asnjëherë nuk është vonë. Nuk flas për ata që para 11 viteve e kanë votuar këtë rezolutë dhe sot nxituan të flasin me të njëjtën gjuhë si përfaqsuesit e Serbisë në Asamblenë e Këshillit tëEuropës. Ky lloj e ka mbyllur llogarinë me interesat kombëtare.