Mero Baze
Fjalimi i Edi Ramës në Strasburg nuk është i pakritikueshëm. Atë mund ta kritikosh, madje dhe ta sulmosh si politikan shqiptar apo gazetar, por nga pozitat e kundërshtarit të atij qëndrimi që mban Edi Rama. Beteja e Edi Ramës për të certifikuar falsitetin e raportit të Dick Marty është legjitim, pasi aty preket Shqipëria si bazë e atij trafiku.
Përtej kësaj, ata që duan t’i thonë Edi Ramës rri larg Kosovës dhe mos u përzje në fatin e liderëve politik të Kosovës përballë drejtësisë, mund ta bëjnë. Ka sens t’i thuash një politikani mos i bëj presion drejtësisë, dhe akoma më shumë të dalësh po munde dhe në anën e drejtësisë kundër atyre që janë në Hagë.
Ky është pozicion legjitim i çdo kundërshtari të Edi Ramës.
Por ana qesharake e sulmeve ndaj Edi Ramës është se Edi Ramën duan ta sulmojnë nga pozitat e patriotëve më të mëdhenj se Edi Rama në këtë rast. Ky është pozicion qesharak dhe i padobishëm për të gjithë.
Edi Rama e ka zënë atë pozicion me fjalimin e tij dhe qëndrimin e përsëritur pas asaj që bëri në OKB në Nju Jork. Ne mund të diskutojmë sa të duam nëse kjo gjë i bën mirë apo keq Edi Ramës, i bën mirë apo keq Shqipërisë, mirë apo keq Hashim Thaçit, por nuk mund të diskutojmë se me këtë qëndrim Edi Rama nuk ka qëndrim patriotik, se pastaj dukemi të gjithë idiotë.
Shpesh herë qëndrimi patriotik nuk është më i guximshmi. Madje në shumë raste është më i lehti. Më i guximshmi qëndrim në këtë rast është të jesh kundërshtar real i Edi Ramës në këtë qëndrim.
Kritikët e tij duhet të jenë më të guximshëm se ai dhe duhet të mbrojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe t’i thonë Edi Ramës “Pusho”. Ky është qëndrim legjitim i tyre si kundërshtarë të Edi Ramës, i cili do guxim për ta bërë. Nëse nuk ka ndonjë të tillë, është mirë të mos flasin se bëhen qesharakë.
Kritikat ndaj Edi Ramës duken më shumë si zili ndaj Edi Ramës se sa si qortim për të. Kjo nuk është kundër Edi Ramës, është pro tij, edhe si kritikë.
Nuk po flas për Berishën, se ai është gjithnjë në anën e kundërt të historisë sa i përket Kosovës. Qeveria e tij më 2006, një vit para pavarësisë së Kosovës, kërkonte pavarësi të kushtëzuar për Kosovën zyrtarisht përmes Ministrisë së Jashtme.
Por e kam fjalën për ata që i ka kap zia se po u duket Edi Rama patriot.
Për një politikan normal modern shqiptar, Edi Rama mundet më lehtë si “patriot” se sa si i “moderuar”. Zija që ka rënë tek ca politikanë në Kosovë dhe të tjerë në Shqipëri, që nuk ja ka idenë fare përse flet Edi Rama, është tragjikomike.
Po të shikosh mbështetësit e Kurtit dhe Osmanit, duket sikur Edi Rama ka mbajtur fjalim kundër tyre dhe jo kundër Dick Marty. Po të dëgjosh këta në Shqipëri, duket sikur Edi Rama, përveç PPP-ve dhe tenderëve, u ka vjedhur dhe patriotizmin. Dhe i gjithë debati kundër tij, është se ai nuk është aq patriot sa duhet.
Problemi që ne kemi me Edi Ramën me këtë kurs është se është boll patriot, dhe mund të konkurrohet nga dikush që të jetë më pak “patriot”. Se për më shumë nuk ka vend, përveç Don Kishotëve që luftojnë me mullinjtë e erës.