Ballkani-Sivaspori 1-2 Thaqi 36’/ Arslan 72′, Angielski 81′
Ekipi i Ilir Dajës ka humbur ndeshjen e rëndësishme të sotme ndaj Sivasporit. Nëse Ballkani do të fitonte, do të shtoheshin së tepërmi gjasat për kualifikim nga grupet e Conference League. Situata ka ndryshuar pasi turqit arritën që të fitonin me shifrat 1-2.
Në një stadium të tejmbushur, Thaqi kaloi ekipin shqiptar në avantazh me golin e shënuar në minutën e 36. Barazimi do të vinte në të 72 me anë të Arslan që barazoi shifrat. Ndërkohë vetëm 9 minuta më vonë, Karol Angielski do të përmbyste rezultatin.
Ilir Daja ka folur pas humbjes së pësuar kundër Sivasporit. Ballkani kaloi i pari në avantazh me anë të Thaqit, por turqit përmbysën gjithçka në pjesën e dytë. Menjëherë pas përfundimit të takimit, trajneri i Ballkanit ka treguar pengun e tij për faktin se nuk u gjet dot goli i dytë.
“Kaluam në avantazh dhe kishim raste për të shënuar, duhet të ishim efikas në të tillë ndeshje. Kishim mungesa dhe Kuc sakrifikoi, ishte mungesa e Gripshit gjithashtu. Bëhet fjalë për lojtarë titullarë, me këta të dy ndryshonte vendosja. Kemi pasur shanse për 2-0, gol që do të godiste kundërshtarin dhe ne do të ishim të qetë. Mund të dilnim me një tjetër rezultat.
Ne nuk kemi qenë favoritë, i rritëm pritshmëritë me lojën dhe rezultatet. Në dy ndeshjet e mbetura nuk do t’i kalojmë si ndeshje radhe, por do të bëjmë lojën tonë. Me Slavian kemi një kundërshtar edhe më të fortë, ata humbën sot dhe do të jenë në maksimum në ndeshjen ndaj nesh. Do të kemi dy javë për t’u marrë me kampionatin sepse është i rëndësishëm dhe pastaj do të mendojmë për Slavian duke shpresuar të rikuperojmë disa lojtarë, sidomos ata me eksperiencë”, u shpreh Daja.