Detaje interesante kanë dalë për 3 shtetasit e huaj Josoue Ngankam dhe Zinedine Nkeh dhe Jennifer Chollet, të cilët po gjykohen për 1.2 milionë euro të falsifikuara në aeroportin e Rinasit në muajin shkurt.
Në bazë të përgjimeve, ata po planifikonin që me këto para të blinin një vilë në Shëngjin dhe një lokal në autostradën Tiranë-Durrës. Në momentin kur u kap kamerunasi Ngankam në Rinas në 18 shkurt 2022, Chollet i shkroi Nkeh duke i thënë se ishin zbuluar.
Ky i fundit bleu një biletë për t’u arratisur drejt Italisë, por u kap pak ditë më pas. Rezulton se Nkeh dhe zvicerania Chollet janë takuar shpesh në Shqipëri me njëri-tjetrin. Gruaja jetonte prej kohësh në Shqipëri dhe merrej me shitjen e pasurive të paluajtshme dhe me këmbimin valutor. Pas arrestimit në 18 shkurt 2022 me rreth 1.2 milionë euro të falsifikuara dhe lastra, kamerunasi Ngankam tha se valixhen me para ia dha një shqiptar në Paris, që quhej Toni, me porosi që ta dërgonte në Shqipëri.
Në fakt, bazë të hetimeve, “Toni” ishte bashkëkombasi i tij Zinedine Nkeh. 279 mijë euro të printuara, të ndara në prerje 500, 200 dhe 100, si dhe lastra prodhimi parash false me vlerë shumë më të madhe që gjithsej bëjnë rreth 1.2 mln euro u gjetën në valixhen që kishte me vete kamerunasi Josoue Ngankam, i cili vinte nga Parisi, me tranzit në aeroportin e Stambollit.
Ngankam ka qenë dy herë në Shqipëpëri dhe luante rolin e korrierit. Pas ndalimit nga policia, kamerunasi tha se është nisur nga Franca me tranzit Stambollin drejt Tiranës dhe në aeroport do ta priste një bashkëkombës i tij me emrin “Toni”. “Toni” (Nkeh) i ka dhënë valixhen në Francë dhe i ka thënë se kur të mbërrinte në Rinas, duhet ta priste në një kafe brenda aeroportit.
Para dy ditësh, Prokuroria e Tiranës kërkoi që 3 të huajt të dënohen me nga 9 vite burg secili, por për shkak se kanë pranuar gjykimin e shkurtuar, mund të dënohen me nga 6 vite burg secili (përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit).