Shqipëria është vendi i fundit që është shënjestruar nga televizioni shtetëror rus, në kanalin më të madh të Rusisë, Rossiya-1 nga prezantuesi Vladimir Solovyov-it.
Kështu raporton në Twitter gazetari i medias britanike “BBC”, Francis Scarr.
“Ai nuk është i lumtur pasi OKB-ja miratoi rezolutën e delegatit të saj që votimi i fundit mbi integritetin territorial të Ukrainës të regjistrohet (d.m.th. të mos mbahet me votim të fshehtë siç kishte dashur Rusia)”, shkruan Scarr referuar Solovyov.
Ky i fundit është prezantuesi më i famshëm në Rusi, njeriu i besuar i Vladimir Putinit dhe vetë oligarku – me vilën e tij në liqenin e Komos të sekuestruar.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese të mërkurën e 12 tetorit për të dënuar “përpjekjen e aneksimit të paligjshëm” të katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia dhe kërkon që Moska të tërheqë menjëherë veprimet e saj.
Votimi në organizmin botëror prej 193 anëtarësh ishte 143-5 me 35 abstenime, mbështetja më e fortë nga Asambleja e Përgjithshme për Ukrainën dhe kundër Rusisë nga katër rezolutat që ajo ka miratuar që kur trupat ruse pushtuan fqinjin e tyre më të vogël më 24 shkurt.
Vendet perëndimore u angazhuan në lobim intensiv në prapaskenë përpara votimit, ndërsa aleati i Rusisë, Siria paralajmëroi kundër izolimit të Moskës.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield e konsideroi votimin e 12 tetorit si “një ditë monumentale për Kombet e Bashkuara”.
“143 shtete anëtare votuan për një rezolutë që hodhi poshtë përpjekjet për aneksime të Rusisë dhe ripohoi parimet themelore të Kartës së OKB-së. Kjo do të thotë se, në sytë e botës, kufijtë e Ukrainës mbeten të njëjtë”, vërejti diplomatja amerikane.
Misioni diplomatik shqiptar i bëri thirrje shteteve anëtare që të votojnë projekt-rezolutën e cila dënon tentativat e Rusisë për aneksime të paligjshme në Ukrainë.
“Shqipëria i bën thirrje shteteve anëtare të OKB-së të votojnë në favor të projekt-rezolutës L.5 që dënon tentativat për aneksime të paligjshme të Rusisë dhe mbështet një zgjidhje paqësore të konfliktit”, shkruan misioni shqiptar.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që të dënojë aneksimet e paligjshme ruse.
“Këtë javë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë për një rezolutë që do t’i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë tentativat për aneksime të paligjshme të Rusisë dhe të mbështesë një zgjidhje paqësore të konfliktit”, vëren fillimisht diplomatja amerikane.
Sipas saj, sulmet barbare të Rusisë ndaj civilëve gjatë të hënës vetëm sa i rrisin rrezikun.
Rezoluta shqiptaro-amerikane kërkon që forcat ruse të largohen nga Ukraina.
Ndër të tjera, ajo rikonfirmon “angazhimin për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.
Më tej, thuhet se referendumet “nuk kanë vlefshmëri dhe nuk mund të përbëjnë bazën për ndonjë ndryshim të statusit të këtyre rajoneve të Ukrainës”.
Rezoluta SHBA-Shqipëri “u bën thirrje të gjitha shteteve që të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë e specializuara të mos njohin asnjë përvetësim të supozuar nga Federata Ruse të ndonjë ose të të gjitha rajoneve të Ukrainës të Luhansk-ut, Donetsk-ut, Kherson-it ose Zaporizhzhya-s dhe të përmbahen nga çdo veprim ose marrëveshje që mund të interpretohet si njohje e një statusi të tillë të ndryshuar”.
Ambasadori shqiptar Ferit Hoxha, i cili bashkë-garantoi rezolutën, i bëri jehonë shqetësimeve për referendumet e Rusisë.
“Ne shohim protesta kundër thirrjes për të shkuar në Ukrainë, sepse besojmë se qytetarët rusë nuk duan të shkojnë atje, pasi nuk duan të vdesin në këtë luftë”, tha Hoxha.
Video link:
https://twitter.com/i/status/1580859816800817152
https://twitter.com/i/status/1579562114880274432