Në aeroplan civil i nisur nga Belgjika ka humbur komunikimin teksa ishte duke fluturuar mbi vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë kur aeroplani i Ethiopian Airlines model “Boeing 767”, humbi komunikimin me Kontrollin e Trafikut Ajror sapo doli nga hapësira ajrore e Kroacisë. Përgjatë fluturimit mbi Bosnje dhe Hercegovinë, Malin e Zi dhe Shqipëri, Kontrolli Ajror është munduar të komunikojë vazhdimisht me pilotët por pa sukses.
Sipas “Avherald”, pilotët e aeroplanit kanë vendosur të mos ndryshojnë trajektore por të vijojnë të njëjtin drejtim fluturimi. Megjithatë me të dalë nga Shqipëria, aeroplani është interceptuar nga dy avionë luftarakë grekë, deri në kufi me Egjiptin.
Për fat të mirë aeroplani arriti të ulet pa probleme në destinacion, ndërsa mbetet ende mister se çfarë e shkaktoi shkëputjen e komunikimit për rreth një orë teksa ishte duke fluturuar mbi Ballkan. Kompania e fluturimit nuk ka dhënë asnjë sqarim lidhur me incidentin.