Personi i cili drejton grevën e pedagogëve tek Fakulteti i Mjekësisë është Erges Eskiu, një militant i Partisë Demokratike. Mjafton një kërkim dhe vë re aktivizmin e tij jo vetëm në mbështetje të Sali Berishës, por dhe për strukturat drejtuese të opozitës.
Edhe pse në media foli për nevojën për rritje page, nuk ngurron që në Facebook e tij të reklamojë jetën luksoze në jug dhe me jahte. Por Eskiu nuk është i vetmi.
Pas thirrjes së Berishës për protesta, në krye të fakulteteve janë ngritur pedagogët që janë dhe në strukturat e PD-së. Tek Artet në krye qëndron Ardian Isufi që është anëtar Këshillit të PD-së, tek Bujqësori vetë dhëndri i Berishës, Jambardhër Malltezi, ndërsa tek Politekniku qëndron Bislim Ahmetaj që drejton Grupin e Dhjetorit në PD.
Ndërkaq, kryetari i Sindikatës për Arsimin e Lartë, Aleksandër Kovaçi i cili drejton grevën e pedagogëve është një ish-zyrtar i lartë i SHIK në kohën e Bashkim Gazidedes, të cilën e ka fshirë nga biografia e tij. Ai ka punuar si zëvendësdrejtor i Departamentit të Analizës në kohën e Bashkim Gazidedes deri në vitin 1998.
Më pas u risoll nga Visho Ajazi në SHISH pas vitit 2005 si drejtor i sektorit të analizës. Kovaci njihet si një mbështetës i zjarrtë i Berishës, por nëse shikon CV e tij si pedagog i Shkencave të Natyrës shikon se ai ka vënë në CV vetëm periudhën kur ka punuar në SHISH pasi kanë ardhur socialistët në pushtet, për të fshehur të shkuarën e tij si zyrtar i kohës kur SHIK ishte një instrument politik.