Ndodh edhe kështu. Në vend që të mblidheshin për ta shkarkuar për vendime të paligjshme, në konflikt flagrant interesi, nën ndikim dhe në intimitet, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor janë mbledhur për të marrë në mbrojtje gjyqtaren e Gjirokastrës, Suela Dashin, të cilës i janë rrëzuar 50 vendime njëri pas tjetrit.
Për gagarelët e KLGJ do të mjaftonte vetëm një fakt i rëndë, që të mos lëshonin deklaratën qesharake dhe vetëdiskretituese në mbrojtje të Suela Dashit.
Prapaskena disponon një video ku gjyqtarja hipën në makinë me xhama të zinj të një prokurori nga Durrësi deri në Gjirokastër, hedh sipër mantelin e zi, hyn në sallën e gjyqit kap çekiçin dhe pranon çdo kërkesë të prokurorit, në prehrin e të cilin kishte qëndruar nga Durrësi deri në Gjirokastër.
Videon e kanë parë edhe anëtarët e KLGJ. Si ta raportojë media këtë fakt sipas KLGJ? Të thotë se prokurori nuk ka qenë prokuror por taksixhi?
Të mos ndalemini tek 50 vendime, të cilat i janë rrëzuar në një kohë të shkurtër, ekspozimi i lulsit dhe një aferë rozë me gjyqtarin e Vlorës, Enkel Peza, të cilin e ndau nga gruaja.
Megjithatë, gagarelët e KLGJ jo vetëm që marrin në mbrojtje gjyqtaren, por marrin guximin të japin edhe leksione gazetarie, duke dhënë direktiva se si duhet raportuar.
Publikun me drejtësinë nuk po e armiqëson media, por gjyqtarët që nuk kanë kaluar Vetingun, të cilët i kanë kthyer gjykata në pazar dhe hapsira harbimi.
Reagimi i plotë i KLGJ
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në atributet e tij kushtetuese si garant i pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe mbarëvajtjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, shpreh, në mënyrë të përsëritur, shqetësimin e tij për qëndrime të mbajtura nga disa ofrues të shërbimeve mediatike audiovizive si dhe medias së shkruar, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekt kanë cenuar dhe tronditur në mënyrë të papërgjegjshme dhe vazhduese, besimin e publikut në sistemin gjyqësor.
Rasti i fundit i referohet transmetimit nga emisioni investigativ “Stop”, në datë 12 Tetor 2022, të detajeve të një çështjeve gjyqësore penale, të gjykuar nga gjyqtarja znj.Suela Dashi, shoqëruar me sulme të drejtpërdrejta ndaj saj, me përmbajtje dhe etiketime fyese dhe denigruese.
Aktualisht, znj.Dashi, ushtron detyrën e Zëvendëskryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, zgjedhur nga trupa gjyqësore e kësaj gjykate, në mbështetje të nenit 26 të Ligjit nr.98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është i vetëdijshëm për të drejtën e publikut për të marrë informacion me interes publik nga njëra anë, dhe detyrimit të medias së shkruar apo audiovizive për përhapjen e këtij informacioni si dhe ideve për publikun, por kjo e drejtë gjithnjë duhet të ushtrohet duke patur në konsideratë kufizimet e imponuara nga pavarësia, autoriteti, paanësia e pushtetit gjyqësor si dhe mbrojtja e reputacionit të gjyqtarit.
Referuar rastit konkret, Këshilli konstaton me keqardhje, jo vetëm mungesën e qëllimit të mirë në trajtimin e çështjes konkrete, por dhe mungesën e përkujdesjes së duhur dhe profesionalizmit të emisionit për të kryer një raportim të saktë, të drejtë, jo paragjykues dhe në respektim të të drejtës për një gjykim të drejtë, në përputhje me etikën e gazetarisë.
Nëpërmjet përndjekjes së gjyqtares, përdorimit ndaj saj të fjalëve dhe gjesteve, fyese dhe denigruese, gazetarët e emisionit në fjalë, kanë rrezikuar rëndë dhe vënë në pikëpyetje, në mbarë opinionin publik, të drejtat dhe vlerat njerëzore të gjyqtares për shkak të kryerjes së detyrës, si dhe mund të rrezikojnë në të ardhmen kryerjen, nga ana e saj apo e aktorëve të tjerë të sistemit gjyqësor, të funksioneve të tyre ligjore dhe kushtetuese.
Këshilli i Lartë Gjyqësor siguron opinionin publik se, në ushtrimin e veprimtarisë së tij bazohet në parimet e ligjshmërisë dhe transparencës dhe se çdo veprim apo sjellje që ka vendosur në dyshim apo përbaltur punën e tij në këtë drejtim, si në rastin konkret, passjell pasoja sipas ligjit. Këshilli është i hapur ndaj çdo lloj kritike konstruktive në funksion të rritjes së besimit të publikut si dhe shpreh gatishmërinë e tij për ndërmarrjen e çdo hapi të nevojshëm që synon vendosjen e standardeve që kanë lidhje me funksionimin dhe mirë administrimin e sistemit gjyqësor, si dhe garanton opinionin publik për marrjen e të gjitha masave të duhura ligjore, duke iu drejtuar edhe organeve kompetente për vlerësimin e qëndrimeve të tilla, të cilat veçse nxisin në publik ndjenjën e armiqësisë ndaj pushtetit gjyqësor, krijojnë imazhin e gabuar mbi gjyqësorin si dhe cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarit.
Këshilli rithekson se cilido që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjelljeje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore, duhet t’ia referojë atë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, por në asnjë rast nuk mund të cenohet dinjiteti i gjyqtarit.
Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh bindjen se respektimi i gjyqtarëve dhe i funksionit e dinjitetit të tyre, sjell forcim të shtetit të së drejtës, si dhe rrit transparencën dhe përgjegjësinë e pushtetit gjyqësor.