Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk kanë as ngjyrë, as kah politik. Por, nën drejtimin e Arben Krajës, disa aksione të SPAK-ut kanë vënë në mëdyshje edhe vetë deklaratat e kreut të Prokurorisë së Posaçme, që përsërit shpesh se ‘po heton nga të gjitha anët’.
Janë me dhjetra kallëzimet e dorëzuar në SPAK-un e drejtuar nga Arben Kraja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, që nga ato për korrupsion masiv, fshehje pasurie dhe lobim me para të pista në SHBA, deri te ndërhyrjet estetike të Monika Kryemadhit, apo përfitimet e paligjshme të vëllait të saj, Drini në koncesionin e kolaudimeve.
Pavarësisht kësaj, kreu i SPAK ka heshtur dhe publikisht i ka shmangur jo vetëm komentet, por edhe ndonjë të dhënë nëse po hetohen a jo këto denoncime. Nëse po në çfarë faze janë dhe nëse jo pse nuk po hetohen. Jo vetëm kaq, por një seri hetimesh e dënimesh të Prokurorisë së drejtuar nga Kraja ‘rastisin’ që të jenë armiq të Ilir Metës.
Shembulli i fundit është mjeku pediatër, ndër më të mirët në vend, Aurel Vula. Vula ka dalë në përgjimet e SPAK lidhur me operacionin në Itali e Shqipëri për mashtrimin e korrupsionin në sistemin shëndetësor të vendit matanë Adriatikut.
Ai thotë se nuk ka asnjë lidhje me atë që është folur në media ndaj tij për çështjen në fjalë. Vula deklaron se udhëtimet e tij në Itali kanë qenë rastësore shëndetësore, të lidhura me rrezikimin e jetës së prindërve të bashkëshortes së tij, me vjehrrën që ka ndërruar jetë.
Ai thekson se si mjek pediatër nuk ka lëshuar asnjë certifikatë, apo epikrizë për pacientët e sugjeruar për shtrim në Itali dhe asnjë dokument të asnjë lloj natyre, siç akuzon Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, që mund të ketë lehtësuar procedurat e kalimit të shtetasve shqiptarë gjatë kohës së pandemisë në Itali.
“Armiku” tjetër i Metës që ka përfunduar në SPAK është ish-drejtori i RTSh-së, Thoma Gëllçi. Ky i fundit u mor me shpejtësi në hetim dhe dënua me burg për një tender, që sipas avokatit të tij i ka kursyer shqiptarëve 60 mln lek.
Ka dyshimet se edhe investimi energjik dhe i beftë i SPAK në këtë rast është ‘frymëzuar’ nga Presidenca, pasi tenderi nuk iu dha një kompanie që kishte kërkuar Meta. Në një intervistë televizive, avokati i Thoma Gëllçit, Dorian Matlija thotë se ish-drejtori i RTSH u ka kursyer taksapaguesve rreth 60 mln lek me vendimin për të zgjatur kontratën, pasi në të kundërt rrezikonte penalitete.
Hetimet e tjera të SPAK lidhen me Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, që të dy ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Ilir Metës, por që i pari kaloi me socialistët në zgjedhjet e 2017-s dhe Meta e LSI humbi njeriun kyç të fushatës në Durrës, ndërsa i dyti kaloi me PS pas periudhës si këshilltar i Metës. Në të dyja rastet, Meta duket se ka përdorur SPAK-un për t’u hakmarrë.
Këto janë çështjet për të cilat hetohen ‘armiqtë’ e Ilir Metës nga ana e Arben Krajës, që në këtë rast sheh qimen në fytyrën e tjetrit, por jo traun para hundës së vet. Ilir Meta akuzohet për mijëra dollarë para lobimi në SHBA, që nuk janë deklaruar te institucionet shqiptare.
Vetëm në një rast, përmes kompanisë guackë Dorelita Limited, shifra e shpenzuar për lobim është 750 mijë dollarë. Veç kësaj janë edhe dosjet e mbyllura me procedurë, apo nxitim, njëra prej të cilave edhe CEZ-DIA, në mes të të cilës qëndrojnë milionë dollarë.
Akuzave ndaj Metës u shtohen edhe ato për Monika Kryemadhin. Kjo e fundit e ka pranuar vetë që ka qenë paciente në një klinikë në San Marino për një problem shëndetësor. Por, mediat kanë raportuar se qëllimi i vërtetë i vizitave të Kryemadhit në këtë klinikë ishin estetike dhe gazetari Adriatik Doçi shkruan për shifra të shpenzuara që shkojnë deri në 1 miliard lekë.
As Kryemadhi nuk i ka deklaruar në ILDKPI këto shpenzime, ndryshe nga sa e detyron ligji për deklarimin e pasurisë dhe parandalimit të konfliktit të interesit.
Kraja nuk pritet të heq dorë as në vijim me shërbimet ndaj Ilir Metës, edhe pse është në fund të mbarimit të mandatit të tij 3-vjeçar.