Kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra është shprehur se nuk do të ketë asnjë pakt me pedagogët të cilët prej ditësh kanë dalë në protestë.
Në fjalën e tij, Rama tha se nuk do të ketë asnjë pakt me pedagogët duke shtuar se këto të fundit kanë mundësi që të punojnë dhe në universitetet private.
Më tej kreu i qeverisë theksoi se do të ketë vetting për pedagogët që punojnë në universitete private dhe nuk deklarojnë pagën.
“Nuk mund të dalësh e të bësh protestë dhe të mos bësh mësim, në një kohë që paga është rritur. Pedagogët kanë mundësi të dyta duke punuar edhe në universitete private. Një pjesë e pedagogëve nuk deklarohen nga universitetet private, për këtë çështje do të bëjmë vetting.
Bëjnë protesta për të çuar ujin në çorbën e rublave , ‘non gratave’ dhe spiunëve. Kush po i shantazhon. Të bësh protesta si skuth. Asnjë pakt nuk ka me ta, puna jonë nuk është të bëjmë pakte pas shpinës suaj”- tha Rama.
Prej disa ditësh pedagogët janë ngritur në protestë, ku ndër të tjera kërkojnë rritje të pagave. Në lidhje me këtë kërkesë të tyre, kryeministri Edi Rama u shpreh një ditë më parë se nuk e mbështet këtë protestë.
Në fjalën e tij me rektorët e universiteteve private dhe publike në vend, ai tha se koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniformë sepse e kërkojnë sindikatat, ka mbaruar.