SPECIALE/Intervistë-dëshmia e datës 12 mars 2013: Është një dosje speciale me “Nr. 106”, që mban brenda gjithë të vërtetën e vrasjes së Azem Hajdarit, por që vazhdon të mbahet e bllokuar.
Vetë-dorëzimi i Izet Haxhiajt, të dënuar me akuzën e pjesëmarrjes në grupin e vrajses së ish-deputetit Azem Hajdari para selisë së PD më 12 shtator 1998, ka rihapur këtë dosje, duke pasur si personazh jo vetëm Haxhiajn, por edhe Sali Berishën, cili i është shmangur hetimit të këtij krimi, megjithëse u “betua me besë burri” mbi trupin e Azemit, se pas varrimit, do të shkonte në prokurori, për të treguar skenarin dhe vrasësit e vërtetë të “mikut dhe bashkëpunëtorit të afërt” (siç e quante Azemin), nuk ka shkuar atje as sot pas 20 vitesh.
Nëse gjykata ka një kërkesë të bërë prej Izet Haxhiajt, për thirrjen si “person që ka dijeni për skenarin, financuesit dhe autorët e vrasjes së deputetit Hajdari” (siç ka deklaruar vetë), “Pamfleti” po u kujton trupit gjykues të kësaj dosjeje, se në ndihmë të hetimit është edhe një person tjetër, me detyrë prokuror që ka përgatitur dosjen “Hajdari nr. 106”.
Nga sa thuhet në deklaratat e ish-prokurorit Violent Çoniku, mund të thuhet se “lëndë të parë” për të zbuluar se cilët kanë qenë të interesuar për të mos e zbardhur këtë krim, “Pamfleti” po publikon pa asnjë ndryhim, pjesë nga intervistë-dëshmia e dhënë në gazetën “SOT” në datën 12 mars 2013:
Ja pjesë nga deklarimet e ish-prokurorit të “Dosja-106”
“Në tetor të vitit 2002, jam ngarkuar me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, për t’u paraqitur dhe dëshmuar në Komisionin Parlamentar “Klosi”, i cili kishte në trajtim dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit.
Në këtë komision parlamentar jam përgjigjur për çdo pyetje, të drejtuar prej deputetëve Bashkim Fino, Mustafa Muçi, Gazmir Bizhga, Spartak Ngjela, Fatos Beja, Edi Paloka etj, të cilët kanë kërkuar informacion nga ana ime, mbi një çështje, që unë kisha hetuar si prokuror në Gramsh, në lidhje me dy të arrestuarit Isamedin Haxhia dhe Halil Haklaj, që ishin arrestuar në 17 korrik 1998, “për trafik armësh”..
Pyetjet nisën për dy të arrestuarit Isamedin Haxhiaj e Halil Haklaj, rreth “Dosjes Hetimore Nr.106-korrik 1998”, të cilët akuzoheshin “për trafik armësh” dhe më pas, për vrasjen e Azem Hajdarit.
Deputeti Spartak Ngjela, më ka paraqitur në komision një dokument, të cilin e kishte tërhequr nga Prokuroria e Përgjithshme, me autorizim të ish-prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku.
Dokumenti përmbante një informacion të dërguar nga SHISH, firmosur nga Fatos Klosi.
Sipas dokumentit të SHISH, që ma paraqitën në Komisionin Hetimor Parlamentar, thuhej, se (unë) prokurori i Gramshit Violent Çaniku, me urdhër të Azem Hajdarit, kisha arrestuar dy shtetasit Isamedin Haxhia dhe Halil Haklaj.
Ky dokument, besoj se gjendet në Prokurorinë e Përgjithshme, në SHISH dhe në arkivën e Komisionit Hetimor Parlamentar, dokument të cilin ma kishte përmëndur shoqërisht edhe ish-prokurori i çështjes Hajdari, z. Haxhi Giu, por që në atë kohë nuk i kushtova rëndësi.
Kur u ballafaqova në Komisionin Parlamentar, këtë dokument ma paraqiti deputeti Spartak Ngjela, Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar “Klosi”.
Deputeti Ngjela, më pyeti me këmbëngulje: – “A është e vërtetë kjo që thotë SHISH, në këtë informacion, a qëndron fakti që Azemi të ka dhënë porosi, për të arrestuar Haxhiajn dhe Haklajn?”
Përgjigja ime ishte kjo: “Ai informacion është një trillim i SHISH dhe Azem Hajdari, nuk më ka zënë në gojë emrat e tyre asnjëherë”…
Deputeti Bashkim Fino, më tha se “kishte përgatitur 100 pyetje, por që nuk m’i bëri, mbasi më tha se “i kuptova gjërat”.
“Dosja Hajdari Nr. 106” është përgatitur nga mua dhe më pas, kur jam interesuar për fatin e saj, më kanë thënë: “Nuk egziston më në prokurori, mbasi sipas informacioneve, këtë dosje e kishte marrë SHISH”.
Është një dosje speciale me “Nr. 106”, që mban brenda gjithë të vërtetën e vrasjes së Azem Hajdarit, por që vazhdon të mbahet e bllokuar.
Para se të paraqitesha në Komision, më kërkoi “takim urgjent” Sali Berisha.
Ai (Berisha) i ka të gjitha “letrat” dhe dëshminë time në komision parlamentar.
Sali Berisha i di të gjitha faktet dhe është e drejta e tij, nëse do t’i bëjë publike e nëse do të kërkojë, ose jo rihapjen e çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit.
Ju konfirmojë, se 1 javë para se të paraqitesha në Komisionin Parlamentar, kam shkuar përsëri tek Sali Berisha, i thirrur prej tij kur isha prokuror në Pukë, duke më njoftuar nëpërmjet sekretarit të PD Pukë, që më erdhi në mes të natës në shtëpi e më tha, se “e kishte njoftuar Edi Paloka, që të paraqitesha urgjent tek doktori në Tiranë”.
Kur shkova tek Berisha, ai më tha: – “Këto ditë do të jesh në Komisionin Hetimor Parlamentar. Thuaj ato që më ke thënë mua dhe deklaro të vërtetën, që Fatos Klosi dhe Thimjo Kondi, kanë qenë në Gramsh dhe më pas janë liruar Isamedin Haxhiaj e Halil Haklaj.
Berisha ka prova, që nuk janë prezantuar as në dosje, as në gjykim, as në hetim nga prokuroria dhe as janë lejuar të trajtohen prej meje në Komisionin Hetimor Parlamentar.
Për dëshminë që dhashë në Komisionin Hetimor Parlamentar, kam vënë në dijeni vetëm zotin Sali Berisha, i cili, për hir të së vërtetës e ka marrë dëshminë time me shkrim, para se të shkoja në komisionin parlamentar, ose më saktë qysh në muajin gusht 1999.
Unë i kërkova Berishës, të hapet dosja e Azem Hajdarit dhe ai më tha: “Kur të vijmë në pushtet do ta hapim, por këto që ke biseduar me mua, mos i bisedo me askënd dhe mos i jep askujt asnjë letër”… (Bisedën më të, do ta bëj publike në vazhdim…).