Avokat Spartak Ngjela e ka cilësuar të pa vlerë protestën e organizuar nga ish-kryeministri Berisha dhe nga ish-presidenti Meta.
Në një intervistë, avokati u shpreh se ata nuk sollën asnjë gjë të re. Sipas tij, vetëm folën dhe pastaj ikën. Sipas avokatit, nuk u prodhua asnjë lloj lami nga tubimi i sotëm.
“Unë nuk di se çfarë kërkuan dhe çfarë arritën? Nuk thanë ndonjë ide për të ardhmen. Protesta është gjë e demokracisë nuk është ngjarje. Demokracia protestë do të thotë. Demokraci do të thotë protestë. Një parti politike thirri përkrahësit e vetë dhe folën liderët. Më trego cili është lajmi këtu? Këta që e organizuan çfarë fituan?”, u shpreh Ngjela.
Më tej avokati tha se protesta lidhet me votën, por nuk është i sigurt se sa përfituan Meta dhe Berisha nga ky tubim. Madje ai tha se protesta u mbajt nga dy persona nën akuzë.
“Protesta ka lidhje me votën. Këtë dua unë, të tjerat janë broçkulla. Si mund të flasësh seriozisht me dy lider që janë të akuzuar. Njëri i akuzuar ndërkombëtarisht. Ka mundësi që të ecin ata, kjo opozitë? Jo”, tha ai.
Opozita protestoi sot para Kryeministrisë për afro 3 orë. Por ajo që ra në sy përveç pjesëmarrjes, ishte fakti se ndodhi e njëjta gjë që ndodhi dhe në 7 korrik. Turma u mblodh, folën Berisha me Metën dhe në fund të gjithë ikën të lumtur në shtëpi.