Çfarë ndodhi?
Amerika “shtiu” e para në një luftë potenciale tregtare me disa prej aleatëve të saj më të ngushtë javën që kaloi, duke vendosur tarifa të larta mbi importet e çelikut dhe aluminit nga BE, Kanadaja dhe Meksika.
Presidenti Trump fillimisht i kishte përjashtuar nga tarifa 25% mbi çelikun dhe 10% mbi aluminin, që kishte shpallur në mars, si pjesë e përpjekjes së tij për të penguar Kinën që të përmbytë tregjet globale me metale të lira.
Por të enjten e kaluar, Sekretari i Tregtisë i SHBA, Wilbur Ross deklaroi fundin e përjashtimit të përkohshëm të Evropës, Kanadasë dhe Meksikës, duke thënë se ishte bërë përparim i pamjaftueshëm në bisedime si dhe duke përmendur shqetësime që kanë të bëjnë me sigurinë.
Në përgjigje të kësaj, Brukseli tha se do e çojë çështjen në OBT si dhe vërë në zbatim tarifa ndaj mallrave amerikane. Mes produkteve që mund të shënjestrohen, në javët që do të vijnë, janë xhinset Levi’s, cigaret Marlboro, motorrët Harley-Davidson, gjalpi i kikirikut si dhe uiski i Kentakit. Komisionerja e Tregtisë e BE, Cecilia Malmstrom e akuzoi Trumpin se “po luan një lojë të rrezikshme”. Edhe Kanadaja e Meksika kanë vendosur tarifa shtesë mbi mallrat amerikane.
ÇFARË THANË EDITORIALET?
“Donald Trump nuk është i qëndrueshëm në shumë gjëra”, shkruante Financial Times. “Po ai është vazhdimisht proteksionist”. Prej kohësh ka premtuar të godasë atë që e konsideron si praktikë e padrejtë tregtare të vendeve të tjera. Taktikat e tij agresive në negociata do të marrin mbështetje në mesin e amerikanëve, shkruante The Guardian. Por ndërkohë që qasja e tij mund ta ketë ndihmuar të vërë poshtë furnitorët në kohën kur ishte biznesmen dhe merrej me ndërtime, nuk do të funksionojë dhe aq mirë në botën komplekse të diplomacisë ndërkombëtare. Shumë në BE ndajnë shqetësimin e tij për konkurrencë të pandershme nga Kina. Armiqësimi me këta aleatë do të ketë efekt bumerang.
“Eshtë e paarsyeshme të përmendësh sigurinë kombëtare kur u vendos tarifa aleatëve”, shkruante The Washington Post. Eshtë një lëvizje mashtruese për të eleminuar nevojën për miratim në Kongres. Përjashtimi i sigurisë kombëtare nuk ishte menduar për rrethana si kjo. “Besueshmëria presidenciale dhe besimi janë thelbësore për funksionimin tërësor të sistemit ndërkombëtar”.
Veprimet e Trump i kanë dëmtuar këto “asete të paprekshme”. Me pak fat, një luftë tregtare transatlantike ende mund të shmanget, por pavarësisht asaj që do të ndodhë më pas, “besimi në lidershipin e SHBA që u deshën dekada të ndërtohej, tashmë është gërryer rrezikshëm”. / Bota.al