Pas 5 muaj nga zhdukja e Ervis Martinajt, familjarët e tij më në fund kanë thyer heshtjen. Sot, me akuza dhe tone të larta ka folur xhaxhai i tij, Faik Martinaj. Në një lidhje telefonike për emisionin ‘Pa Gjurmë’, Faik Martinaj hodhi dyshime se i nipi ishte vrarë dhe se kufoma e tij ishte zhdukur nga armiqtë e tij, ndërkohë që nuk i kursyer termat fyes për kryeministrin Edi Rama dhe të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani.
“Dyshoj që nipi im është vrarë dhe kufoma është zhdukur. Edi Rama megakriminel. E gjitha ndodhi pas Dumanit. Dumani, Dumani, Dumani. Hyr edhe dil Dumani. Ça mendoni se nuk kanë lidhje ato? Ai është vrarë dhe është zhdukur kufoma. Kundërshtarët e kanë eleminuar. Hasmi nuk të zhduk xhenazen. Edi Rama është megakriminel,”-u shpreh ai.
Xhaxhai ka zbuluar edhe mesazhin e fundit që ka marrë nga Ervis Martinaj, pak orë para se të denonconte në Polici zhdukjen e nipit të tij.
“Rreth orës 07:23 minuta të pasdites më ka shkruar në What’sApp, më ka thënë “kujdesuni nga shtëpia”.”
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.
Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.