Disa ditë më parë u raportua për zjarr në një banesë në Vlorë, që i mori jetën në gjumë një gruaje 73 vjeçe dhe djalit të saj 40 vjeçar. Më vonë policia zbuloi se viktimat ishin vrarë. Ky krim mbetet ende pa autor.
Dhoma e vogël përdorej nga familja Hoxhallari si një kuzhinë ndërsa prej ditësh është kthyer në një skene krimi. Në divan u gjet e pajetë Salkia 73 vjeçe, me shikimin nga televizori dhe e djegur tërësisht. Ne të njëjtin pozicion u gjet përkarshi edhe i biri Olsi 40 vjeç. Fillimisht u raportua dhe u dyshua për një zjarrëvënie, por në fakt nuk rezultoi ashtu.
Vrasja e Olsit dhe nënës së tij e më pas djegia e tyre për të zhdukur gjurmët nuk ka ende një autor. Dhoma e shkrumbuar tërësisht tashmë ishte një vend provash për policinë. Por të afërmit nuk kanë asnjë të dyshuar. Jeta, motra e 73 vjeçares pret emrat e autoreve te kësaj masakre.
“Çfarë dyshimesh të kemi ne, ata ishin njerëz pa faj pa gjë, shikonin punën e hallin e tyre”, shprehet Jeta Dervishi, motra e Salkie Hoxhallarit.
Kur gjurmët e krimit janë pak metra larg derës së shtëpisë, Hysnia kujton natën e fundit. Pak përpara se të ndodhte tragjedia ajo thotë se doli nga kjo dhomë për të vënë djalin në gjumë.
“Atje në atë dhomë rrinim, unë u çova dhe shkova në shtëpi të vija djalin në gjumë. Kur ndjeva pashe që Olsi nuk ndodhej në krevat ata rrinin deri vone shikonin televizor ishte errësirë, dola hapa derën nuk hapej”, tregon Hysnie Hoxhallari, bashkëshortja e Olsit.
Disa ditë pas ngjarjes, një nga dyshimet e policisë është se autorët janë banorë të zonës./ Top Channel