Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në tunelin e Llogarasë ku dhe bëri me dije se gërmimet në këtë tunel përfunduan.
Teksa u prit me duartrokitje nga punonjësit e firmës që po kryen punimet, Rama i falënderoi për punën e bërë dhe mes të tjerash bëri me dije se pavarësisht se në kontratë afati për përfundimin e punimeve është gushti i vitit 2024, punimet pritet të përfundojnë plotësisht në 1 qershor.
“Përfundojnë me një moment emocionues për të gjithë skuadrat e angazhuara, gërmimet e tunelit të Llogarasë, i cili tanimë është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore.
Një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”-shprehet Rama.