Për herë të parë Saimir Tahiri nuk ka marrë pjesë në një përvjetor të themelimit të PS që prej ditës së parë që ai militon në këtë forcë politike. Ish-kryetari i degës së PS për Tiranën dhe ish-ministri i Brendshëm ndodhet në një përballje me drejtësinë pas akuzave për bashkëpunim në trafik droge, e cila e shkëputi atë nga jeta politike.
Por si është përjetuar mungesa e Tahirit në radhët e socialistëve në 27 vjetorin e themelimit të partisë? Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi thotë për Report Tv se do donte ta shihte Tahirin në mes të socialistëve duke festuar, pasi sipas tij ai ka dhënë një kontribut të vyer në selinë rozë dhe nuk ngurron ta quajë kontributor të jashtëzakonshëm.
Çdo socialist është patjetër pjesë e brendshme e kësaj partie. Saimiri është një kontributor i jashtëzakonshëm i PS-së, ka drejtuar PS-në e Tiranës që është zemra, bërthama e kësaj organizate të madhe. Do doja ta shihja këtu dhe ta falënderoja, ta përgëzoja për çfarë ka bërë për këtë forcë politike ku militojmë së bashku për të mirën e vendit.
Pandeli Majko është më gjakftohtë dhe mungesën e Tahirit e paralelizon me atë të shumë socialistëve të tjerë.
Mos e shikoni nga ky këndvështrim, këtu ka shumë mungesa, ne secilën e përjetojmë sipas mënyrës tonë.
Edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli nuk e sheh si dramatike mungesën e ish-ministrit të Brendshëm.
Mua më mungojnë të gjithë socialistët që s’kanë mundur të jenë këtu prezentë. Mund të kenë shumë më tepër kontribut se shumë të rinj këtu. I uroj të gjithëve atyre që mungojnë.
Edhe pse mungoi fizikisht, Saimir Tahiri uroi socialistët përmes një postimi në rrjetet sociale. Tahiri thekson se ka gjithmonë momente të vështira e se ka pasur mbështetjen e kolegëve në çdo moment.