Shpenzimet rekord të Shqipërisë për energjinë elektrike për shkak të thatësirave apo stuhitë e rralla shkatërruese në Maqedoninë e Veriut, janë sipas ekspertëve pasoja të ndryshimeve klimatike të cilat banorët po i vuajnë, por reagimi i qeverive për t’i zbutur pasojat është i ngadaltë dhe ndonjëherë veprimet janë në krah të kundërt duke rritur rrezikun dhe ekspozuar këto vende me kosto më të larta në të ardhmen.
Nga Ola Mitre, Nemanja Zivaljeviç
Viti 2020 ishte një vit i vështirë për Shqipërinë, pasi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare përgjysmoi prodhimin si pasojë e thatësirës. Diferencat ishin të mëdha edhe në vitin 2021. Në 6-mujorin e parë pati prodhim të bollshëm, por në gjashtë muajt e dytë ndodhi e kundërta.
Luhatjet në prodhimin e energjisë në Shqipëri, një vend që varet gati 100% nga burimet hidrike, pritet të jenë më të mëdha në vitet në vijim.
“Nga publikimet e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujërave dhe Mjedisit kuptohet qartë që klima e vendit tonë ka pësuar ndryshime dhe ballafaqohet me ndryshim të regjimit të reshjeve, zvogëlim të depozitimeve në formën e dëborës në Alpe si dhe rritje e temperaturave mesatare të larta përgjatë muajve të verës dhe jo vetëm,” thotë eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka.
Gjoka thotë po ashtu se parashikohen rritje të fenomeneve të tjera, si valë të nxehti, thatësira të zgjatura, netë tropikale, zjarre apo bomba shiu (reshje me intensitet të lartë të përqendruara në zona të vogla).
Shqipëria nuk është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, ku po hasen gjithmonë e më shpesh fenomene të pazakonta të motit.
Memet Divjacev e kujton me shqetësim tornadon e 16 gushtit 2022 në Negotinë dhe Shtip në Maqedoninë e Veriut, ku 4 vorbulla ajri me shpejtësi të madhe shkulën nga vendi çati dhe pemë.
“Deri atëherë nuk kisha parë një dukuri të tillë,” kujton muzikanti, që fillimisht po filmonte me celular ngjarjen e pazakontë. Ai kujton se kur e kuptoi që vorbulla po avanconte me shpejtësi, u detyrua të vrapojë drejt makinës. “Në mbrëmje e kuptuam se kemi reaguar shpejt. Nëse për momentin nuk do të kishte mbizotëruar frika, kushedi a do të kishim mbetur gjallë,” tha Divjacev.
Ndërkohë, edhe peshkatarët e Malit të Zi po përballen me fenomene jo të zakonshme për ta. Në rrjetat e tyre po bie shpesh “gaforrja blu”, një specie që nuk ishte hasur më parë në ujërat e Adriatikut dhe që shkakton pasoja për ata që e fitojnë jetesën nga peshkimi.
“Gaforrja blu praktikisht ka një ‘sharrë’. Mund të shkatërrojë një metër katror rrjetë nëse e kalon natën në të,” thotë Predrag Boljevic, një banor i Budvës që peshkon prej 22 vitesh.
Paralelisht, shumë lloje peshqish që konsumoheshin në tryezat e qytetarëve janë zhdukur. Sipas ekspertëve, kjo vjen si pasojë e ngrohjes së temperaturës së ujit.
“Për shkak të ndryshimit të regjimit të reshjeve dhe avullimit të lartë, vërehet një rënie drastike e prurjes mesatare vjetore të rrjedhave ujore, rendimentit të ujërave nëntokësore dhe nivelit të ujit të liqenit,” thotë Mihailo Buriq, hidrolog dhe profesor në Universitetin e Malit të Zi.
Malazezët po përballen gjithmonë e më shpesh edhe me zjarret, që po shtohen për shkak të thatësirës. “Zjarret që zgjasin me muaj dhe që mbulojnë sipërfaqe të mëdha për shkak të tokës gjithnjë e më pak të lagësht janë më të pranishme në Malin e Zi jugor dhe qendror,” bën me dije Shoqata e Ekologëve të Malit të Zi.
Ekspertët i shpjegojnë këto fenomene që po manifestohen gjithmonë e më shpesh në vendet e Ballkanit Perëndimor me ndryshimet klimatike. Ekspertët e intervistuar nga BIRN pohojnë se pasojat e ndryshimeve po i rëndojnë qytetarët, ndërsa shprehin shqetësim se reagimi i qeverive për t’i zbutur këto pasoja nuk është i mjaftueshëm.
Rreziqe e pasoja
Një burrë ecën në një rrugë të përmbytur në fshatin Kuç pranë qytetit të Shkodrës. | Foto: LSA
Mungesa e prodhimit në hidrocentralet e Kaskadës së Drinit pasohet me shpenzime që shkojnë në miliona euro për buxhetet e kompanive shtetërore të energjisë dhe buxhetin e shtetit shqiptar.
Në dy vitet e thatësirës 2019-2020, kur kriza e çmimeve të energjisë nuk kishte nisur, u shpenzuan rreth 250 milionë euro për të plotësuar nevojat konsumatore. Viti 2021 ishte edhe më i rëndë për financat publike, duke qenë se fatura shkoi në mbi 289 milionë euro, ndërsa, 2022-i shënoi rekord me mbi 360 milionë euro të harxhuara. Totali për 4 vitet e fundit arrin në mbi 900 milionë euro shpenzime për blerje energjie.
Këto shpenzime të larta kanë çuar në mungesë investimesh, që do të përmirësonin kushtet e furnizimit me energji për qytetarët dhe bizneset, dhe pse jo ulje të çmimeve, që sot janë më të lartat në Ballkan.
Për ekspertët, sektori energjetik në Shqipëri është një ndër më të rrezikuarit nga ndryshimet klimatike. “Sektori elektroenergjetik dhe menaxhimi i ujërave në tërësi e më specifikisht në bujqësi janë aktualisht më të ekspozuar e rrjedhimisht më problematikët,” thotë Rodion Gjoka.
Në Maqedoninë e Veriut, dëmet materiale dhe ato në të mbjella që shkaktoi tornado në Negotinë dhe Shtip, ishin të konsiderueshme. Një stuhi tjetër, që u regjistrua në fund të qershorit 2022 në komunat e Bosilevës dhe Vasilevës në juglindje të Maqedonisë së Veriut dhe që zgjati vetëm gjysmë ore, shkatërroi dhjetëra hektarë me speca, patëllxhanë, lakra, domate dhe shalqinj, ndërsa dëmtoi qindra rrënjë pemë.
Nga sipërfaqja e përgjithshme e dëmtuar, 5.5 hektarë ishin pronë e Zemjodelecot Deni Trajkov nga fshati Saraj i Bosilevës. “Katastrofë. Për herë të parë në 37 vitet e mia përjetova një ngjarje të tillë,” thotë bujku.
Ekspertët vlerësojnë se rreziqet nga ndryshimet klimatike janë të mëdha. Rodion Gjoka sjell në vëmendje raportin vlerësues nga paneli ndërqeveritar mbi ndryshimet klimatike i Kombeve të Bashkuara, ku theksohet me besueshmëri të lartë se Shqipëria do të duhet të ballafaqohet me 4 risqe kryesore, ku ndryshimi i regjimit të reshjeve që prek drejtpërdrejt prodhimin e energjisë në Shqipëri është një prej tyre.
Sipas ekspertit të mjedisit, Kristi Bashmili, skenarët për ndryshimin e klimës në Shqipëri tregojnë një situatë edhe më dramatike.
“Kryesisht në drejtim të rritjes së temperaturës (me 1.8⁰C deri në 2050 dhe deri në mbi 3⁰C në vitin 2100), shtimit të fenomeneve ekstreme të motit, duke zgjatur periudhën e thatë dhe shtimin e fenomeneve me reshje intensive,” thotë ai.
Skenarët janë po kaq të zymtë edhe për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq, në një dokument politikash të publikuar në fund të vitit që sapo lamë pas, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se fatkeqësitë e lidhura me ndryshimet klimatike bëjnë që popullsia dhe industritë të humbasin aksesin në shërbime, duke përfshirë energjinë elektrike, ujin e pijshëm dhe objektet e kujdesit shëndetësor dhe arsimor.
Mungesë veprimi
Foto ajrore e shtëpive të përmbytura në lagjen Ajasem ne Shkodër. | Foto: LSA
Ndërsa ndryshimet klimatike janë të pranishme, të dhënat e përpunuara nga BIRN tregojnë se pak ose aspak po bëhet në drejtim të zbutjes së pasojave, edhe pse qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi thonë se çështjet e ndryshimeve klimatike kanë vëmendjen e duhur.
Drejtoria për Ndryshimet Klimatike në Ministrinë e Ekologjisë së Malit të Zi thotë se “të gjitha përpjekjet synojnë zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshime klimatike”. Sipas tyre, kjo fushë është e mbuluar me një sërë ligjesh, ndërsa është ratifikuar edhe Protokolli i Kiotos dhe Marrëveshja e Parisit. Situata është e njëjtë edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, ku qeveritë deklarojnë se një sërë dokumentesh janë hartuar në funksion të ndryshimeve klimatike dhe një sërë veprimesh po ndërmerren në këtë drejtim.
Në fakt, duke njohur problemin e varësisë nga uji, diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është shpallur prej gati 10 vitesh prioritet nga qeveria shqiptare, por ndërtimi i kapaciteteve gjeneruese nga dielli dhe era ka mbetur vetëm në letër.
Përgjatë 10 viteve të fundit, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, ERE, në prodhim ka hyrë një sasi e vogël prej vetëm 21 MW energji diellore, ndërkohë që energjia eolike mbetet ende e pashfrytëzuar.
KESH nga ana tjetër ka ndërtuar një impiant fotovoltaik me fuqi 5.14 MW, që pretendon se ka filluar të funksionojë në shkurt 2022, por deri më tani nga ERE nuk është raportuar energji e prodhuar prej tij. Një park diellor në zonën e Akërnisë, që u miratua në vitin 2018, u anulua. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka përmbushur një sërë detyrimesh për zhvillimin e projektit të centralit diellor në Akërni, duke rrezikuar humbje të konsiderueshme në arbitrazh.
Për të realizuar diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, “Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën” parashikon që gjatë periudhës 2021-2030 në rrjet të shtohen 30 MË energji fotovoltaike në vit ose 300 MW në total deri në 2030. Por të paktën në 2 vitet e para plani nuk ka gjetur zbatim.
Dokumenti përmend edhe ndërtimin e 2 parqeve fotovoltaikë në Karavasta dhe Spitallë, duke konsideruar shtimin e kapaciteteve gjeneruese me 240 MW dhe përfundimin e tyre në vitin 2023. Por aktualisht ka nisur puna vetëm për parkun e Karavastasë (140 MW), që ka detyrim t’i shesë qeverisë vetëm 70 MW, ndërsa pjesa tjetër do jetë nën menaxhim nga kompania Voltalia. E njëjta kompani është shpallur fituese është në ankandin e Spitallës.
Planet janë ambicioze edhe për energjinë eolike. Parashikohet shtimi i kapacitetit eolik me 150 MË deri në vitin 2024. Për këtë, Ministria e Infrastrukutrës dhe Energjisë po zhvillon një procedurë ankandi. Fituesit parashikohet të shpallen në vitin 2023.
Paralelisht, një Monitorim i Strategjisë për Ndryshimet Klimatike dhe Plani i Veprimit, 2020-2030, i kryer nga Qendra Burimore e Mjedisit konstaton mungesën e theksuar të financimit për zbatimin e strategjisë. “Buxhetet e PBA-ve janë disa herë më pak se parashikimi i deklaruar në Strategjinë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike. Hendeku financiar vlerësohet të jetë rreth 49.7 miliardë lekë apo 7 herë më pak,” thuhet ndër të tjera në dokument.
Duke iu referuar të dhënave, eksperti i mjedisit Kristi Bashmili thotë se për të zbutur pasojat e klimës, veprimet janë më të rëndësishme se strategjitë dhe se vendi është i vonuar me zbatimin e planeve.
“Padyshim që strategjitë dhe planet janë të rëndësishme, por duhet që zbatimi i tyre të fillojë sa më parë. Më saktë, duhet të kishte filluar me kohë,” thotë eksperti i mjedisit, Bashmili.
Veçanërisht për qëndrueshmërinë energjetike në Shqipëri, eksperti Bashmili thotë se diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë duhet të shoqërohet me masa të tjera, si rritja e eficiencës së energjisë dhe mundësia e prodhimit të energjisë nga vetë konsumatorët familjarë.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përgatitur një listë të gjatë masash që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, teksa pjesa më e madhe e tyre konsiderohen me prioritet shumë të lartë. Rritja e efikasitetit të përdorimit të ujit, diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë dhe nxitja e eficiencës së energjisë janë 3 prej tyre.
Sipas Rodion Gjokës, qeveria shqiptare ka hedhur hapat e duhur në aspektin e hartimit të ligjeve e strategjive, sikundër edhe në faktorizimin e çështjes si prioritare për rëndësinë që ka. Megjithatë, edhe ai ka rezerva sa i përket zbatimit. Sipas tij, mungojnë burimet njerëzore që në nivel lokal janë inekzistente.
“Në pikën që fenomeni as njihet e jo më të adresohet,” thotë ai.
Sipas Gjokës, ministritë që kanë përgjegjësi në fushat që ndikojnë ndaj ndryshimeve klimatike duhet të integrojnë politikat dhe instrumentet dhe të investojnë në rritjen e burimeve njerëzore e kapaciteteve në mënyrë që të adresojnë problematikat.
“Kjo është veçanërisht e domosdoshme për ministritë përgjegjëse për burimet ujore, energjinë, menaxhimin e pyjeve, bujqësinë e zhvillimin rural dhe infrastrukturën,” shtoi Gjoka.
Nga ana tjetër, ai thotë se disa nga ndërhyrjet në mjedis nga ana e autoriteteve shqiptare nuk janë në përputhje me angazhimet e marra ndërkombëtarisht. “Jo më pak e rëndësishme është të distancojmë propagandën nga realiteti,” thotë ai, duke iu referuar veprimeve të autoriteteve.
Edhe ekspertët e Malit të Zi kritikojnë reagimin e qeverisë për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Profesor Mihailo Burić pohon se asgjë nuk po ndodh në terren për këtë qëllim. “Problemi kryesor është nëse qeveria do ta kuptojë seriozitetin e situatës së ndryshimeve klimatike dhe do të na lejojë ne, që dimë se çfarë duhet bërë, të bëjmë kërkime dhe të paraqesim një propozim për atë që duhet bërë,” thotë ai.
Autoritetet kritikohen edhe nga Shoqata e Ekologëve të Malit të Zi, një OJQ lokale. “Ata nuk respektojnë as ligjet që janë të detyrueshme për zyrtarët, e lëre më marrëveshjet si Marrëveshja e Parisit apo Konventa e Bernës, të cilat janë më pak të detyrueshme se ligjet kombëtare,” thotë shoqata.
Shoqata e Ekologëve thotë se po të zbatoheshin disa nga planet dhe angazhimet e marra, do të bëhej një hap përpara, por vë në dukje se institucionet malazeze nuk kanë bërë as atë që ishte planifikuar për ujërat apo pyjet. Sipas tyre, ndikimi i qeverisë është negativ. “Kanë kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e krizës klimatike në Malin e Zi,” thotë organizata.
Angelina Davydova, gazetare dhe eksperte ndërkombëtare në çështjet e mjedisit dhe klimës thotë se deri më tani, shumë vende ende nuk e kanë trajtuar seriozisht temën e ndryshimeve klimatike. Ajo thotë se mjaft veprime që do ndikonin ndryshimet klimatike nuk përputhen me sistemin politik dhe administrativ të vendimmarrjes, ndërsa vende të tjera nuk kanë as kapacitetet. “Përveç kësaj, shumë vende nuk kanë burime të përcaktuara, përfshirë ato financiare ose administrative,” thotë Davydova.
Për eksperten ndërkombëtare, Angelina Davydova, nevojiten reforma dhe ato nevojiten të bëhen shpejt, pasi çdo vonesë e rrit koston.
“Mendoj se sa më shumë kohë të na duhet për të filluar të bëjmë diçka në fushën e ndryshimeve klimatike, aq më të larta do të jenë kostot në të ardhmen,” përfundon ajo.
Ky material publikohet si pjesë e projektit “Going Environmental”, i drejtuar nga N-ost dhe BIRN dhe i financuar nga Ministria për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik e Gjermanisë (BMZ). BMZ nuk është, në asnjë rast, përgjegjëse për informacionin ose pikëpamjet e shprehura në kuadër të këtij projekti.
Nemanja Zivaljevic dhe Ubavka Janesvska kontribuan raportim nga Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut.