Nga Artur Ajazi
Një ndër “prioritetet” kryesore të Partisë Demokratike në opozitë (ka qenë dhe mbetet) është sulmi frontal, çdo ditë të muajit, ndaj Policisë Shtetit. Duke nisur nga dita e parë e saj, qysh pas humbjes së pushtetit në 2013 deri sot, ajo parti opozitariste, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka sulmuar me të gjitha mjetet dhe asrenalin e saj njerëzor dhe logjistik, vetëm Policinë e Shtetit. E ka sulmuar dhe akuzuar policinë, edhe kur ajo hyri në Lazaratin demokratik, e ka sulmuar policinë edhe kur ajo ka kryer aksione të suksesshme ndaj rrjeteve të trafikut, e ka sulmuar policinë edhe kur ka spastruar rradhët e saj nga të inkrimunuarit, e ka sulmuar policinë edhe kur ka shkatërruar parcelat me drogë, e ka sulmuar policinë edhe kur rradhët e saj janë shtuar me efektivë të shkolluar brënda dhe jashtë vendit.
Ajo parti e ka sulmuar Policinë e Shtetit, edhe kur organizmat e huaja e kanë vlerësuar maksimalisht rolin dhe kontributin e saj, si partnere dinjitoze, në vendosjen e rendit dhe qetësisë, duke marrë në mbrojtje gjithmonë kundërshtarin e saj, shkelësin e ligjit, duke e quajtur “viktimë të pafajshme”.
Policia e Shtetit (duke mos ndarë prej saj edhe ministrat e Brëndshëm) mbetet sot institucioni më i akuzuar dhe sulmuar nga një parti e cila sa ishte në pushtet, e ktheu uniformën blu në leckë pa vlerë. Duke patur shterpësinë e të bërit opozitë, Partia Demokratike e vjetra dhe e reja, të vetmin institucion nga ku ajo ka drejtuar tytat e sulmeve dhe aksioneve opozitareske, ka gjetur vetëm Policinë e Shtetit. Ajo parti , duke trashëguar denjësisht nga e kaluara e saj marifetin e “sulmit dhe akuzës së fabrikuar” ndaj ruajtësve të rendit dhe qetësisë publike për ti demoralizuar ata në misionin e tyre, edhe sot e kësaj dite nuk rresht së nxjerri debatikasit e saj para Ministrisë Brendshme, duke akuzuar ministra, zv/ministra, drejtorë të përgjithshëm dhe drejtorë rajonalë, për të krijuar mendimin se “kjo është opozita”.
Faktet flasin ndryshe, pasi Policia e Shtetit falë një procesi të gjatë dhe intensiv reformimi, sot mbetet struktura më dinjitoze dhe partneri më i sigurtë dhe më i vlerësuar nga organizmat e huaja në luftën ndaj kriminalitetit dhe rrjeteve të trafikut. Të bësh opozitarin, duke venitur dhe fshirë sukseset e një armate uniformash blu, të bësh opozitarin duke shpikur dhe shpifur ndaj atyre që ditë e natë ndodhen në llogoren e parë të luftës me antiligjin, do të thotë të luash me fatet e vendit, me fatet e popullit dhe ke një mision politik të dyshimtë.
Pothuajse çdo ditë, debatikasit e FRPD, dhe disa përkrahës të tyre anonimë, kanë marrë urdhër nga kryetari PD, të protestojnë me “mjete paqësore” para Ministrisë Brëndshme, duke kërkuar “dorëheqjen e Xhafajt” dhe dorëheqje të tjera. Mendo një opozitë që katandiset në disa dhjetra djem dhe vajza që nuk e dinë arsyen dhe shkakun e daljes atje, tek kërkojnë me parrulla në duar “dorëheqje ministrash”.
Madje ka prej tyre që ministrit të Brëndshëm nuk i dinë as emrin, por keqpërdoren duke u dhënë parrullën në dorë dhe duke i mbajtur me orë të tëra para institucionit shtetëror. Partia Demokratike, në fakt ka vite që e ka humbur sensin e të bërit politikë, pasi mes tyre nuk ka akoma elementë të profilizuar për të bërë politikanin. Mes tyre ka vetëm fallxhorë dhe videopërgjues por jo idealistë, mes tyre ka vetëm milionerë të majmur nga pushteti i shkuar, dhe çirakë që sot mbajnë parrullat opozitariste, për të qenë nesër rrsheti parë që do të kërkojë poste kur ajo parti, të vijë ndonjëherë në pushtet.
Madje çirakët e rinj, tashmë e kanë të paracaktuar në memorjen e tyre vetëm një gjë, “sulmin ndaj Ministrisë Brëndshme dhe Policisë Shtetit”. Për ata, partia nis dhe mbaron tek parrullat e shkruara nga ustallarët e selisë blu, për ata opozitë e PD do të thotë të sulmosh me fjalë dhe vepra, uniformat e shtetit paçka se më e rëndësishme është rendi dhe qetësia e qytetarëve. Kjo është opozita e policisë, kjo është opozita e zbatimit të ligjit, kjo është opozita e parrullave dhe e tillë do të mbetet edhe për shumë e shumë vite.