Shumë njerëz më kanë pyetur nga Shqipëria nëse kish ndonjë bazë thashethemi që qarkullon atje, se kryeministrin Berisha e paska kuruar, dikur në vitet 1980, im atë, Ulvi Vehbiu, për lipotimi (Humbje e vetëdijes, folje përçartë palidhje) thotë i biri i dr. Ulvi Vebiut, Adrian Veliu nga Amerika
Çmenduritë në politikën e sotme shqiptare nuk kanë natyrë psikiatrike. Përndryshe, rrënjët e legjendës urbane, për Berishën të mjekuar nga im atë, ndoshta i duhen kërkuar në një mbledhje të organizatës bazë të Partisë, në Fakultetin e Mjekësisë, në vitet 1980; kur diskutohej për qarkullimin e kuadrit.
Qarkullimi i kuadrit mund të tingëllojë si shprehje e rëndomtë e burokratishtes; por në atë kohë u ngjethte mishtë njerëzve, meqë donte të thoshte të lije Tiranën dhe punën e mirë dhe kolegët dhe jetën sociale që kishe krijuar, për të shkuar të punoje diku tjetër; në një vend të vështirë dhe me probleme. Nuk dua ta krahasoj me internimin, por e keqja është gjithnjë relative; dhe asnjë “kuadër” nuk dëshironte të qarkullonte.
Në atë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe dr. Berisha, u fol për të qarkulluar tim atë e për ta çuar ca kohë në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Këtu u ngrit të fliste një mjek tjetër, dr. Ilir Gjylbegu, obstetër i njohur në Tiranë dhe mik i tim eti që nga vitet e studentllëkut në Moskë; shakaxhi nga më të hollët në ato rrethe.
“Ju që doni të qarkulloni Ulviun,” tha Gjylbegu, “e keni menduar se ç’do ta bëjmë pastaj me Saliun?”
Dhe meqë im atë për një kohë të gjatë ka qenë pikë referimi, mbarëkombëtare, për njerëzit me probleme mendore, atëherë piketimi i tij, si njeriu që e ka “mjekuar” Berishën do të ndodhë vetvetiu, siç edhe ka ndodhur.
Një kërkim i shpejtë për lipotiminë, në Google, më tregon se ky s’është veçse një term shumërrokësh, ose dinjitoz, për të fikëtit; dhe të fikëtit mund të shkaktohet nga gjithfarë shkaqesh; prej të cilave aterosklerozën e përjashtoi vetë kryeministri.
Gjithsesi, dhe pavarësisht nga çfarë e ka shkaktuar atë “para” të fikët aq plateal të Berishës, nuk ka arsye pse t’i kthehemi historisë (aq më tepër apokrife) të mjekimit të tij psikiatrik.
Përndryshe, im atë, që tashmë nuk jeton më, nuk e kish zakon të fliste për pacientët e vet. I vetëdijshëm më shumë se të tjerët, për stigmën që i mundon të sëmurët mendorë në një shoqëri primitive si e jona, nuk dëshironte t’ua rëndonte edhe më gjendjen, duke ofruar informacion për ta.
Megjithatë, ne që jetonim me të diçka dinim: njerëz që hynin dhe dilnin në shtëpinë tonë, telefonata, ndonjë personalitet që dërgonte makinën për ta marrë mbrëmjeve. Gjithsesi, dr. Berisha nuk është përmendur ndonjëherë, as për mirë, as për keq, në shtëpinë time./Ekskluzive.al