Pas 15 vitesh, francezët e kompanisë “Aleat” nuk do të merren më me prodhimin e pasaportave dhe kartave biometrike të shqiptarëve, tashmë ky shërbim t’i kalojë shtetit shqiptar.
Në këtë mënyrë, Këshilli i Ministrave ka vendosur krijimin e kompanisë shtetërore që do të prodhojë pasaportat dhe kartat biometrike.
Shoqëria do të jetë në pronësi të Ministrisë së Brendshme dhe do të ketë një kapital fillestar prej 20 milionë lekësh, apo rreth 172 mijë eurosh. Shteti do të trashëgojë nga “Aleat” të gjitha pasuritë e saj në 109 pika në të gjithë vendin, së bashku me punonjësit dhe programet kompjuterike.
Koncesioni i akorduar në vitin 2008 skadon këtë vit pas 15 vitesh operim, ndërsa ka qenë një nga më fitimprurësit në vendin tonë, duke arkëtuar rreth 400 milionë euro gjatë këtyre viteve. Vetëm për vitin e kaluar, “Aleat” realizoi një fitim prej 2.6 miliardë lekësh.
Ky është koncesioni i dytë brenda pak kohësh që kalon nga koncensionari në duar të shtetit, pas atij të kontrollit teknik të automjeteve.
Kompania shtetërore do ofrojë kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së:
a) letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike;
b) dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare);
c) letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
ç) dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
d) çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.