Këshilli i Lartë i Drejtësisë çdo ditë që kalon, vijon të tregojë se është kundër reformës në drejtësi. Anëtarë të këtij këshilli kanë arritur deri atje sa i kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese ligjet e reformës në drejtësi, teksa kohët e fundit kanë vendosur të bllokojnë edhe shkarkimin e kolegëve të tyre të përfshirë në afera. Ditën e martë, KLD bllokoi shkarkimin e gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit Shkodër, Ahmet Jangulli, duke e çuar në 16 numrin e emrave për të cilët është refuzuar shkarkimi. Kjo vendimmarrje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është cilësuar nga ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi si sfidë ndaj reformës në drejtësi. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Klosi u shpreh se gjyqtarët po mbrojnë njëri-tjetrin, nga frika e reformës në drejtësi. Madje, ai theksoi se KLD-së po i vjen fundi, prandaj dhe sipas tij, po luan kartën e fundit duke mos shkarkuar gjyqtarët. “Sigurisht që trupa e KLD-së po mbron gjyqtarët. Kështu që nuk ka nevojë të bësh komente për këtë. Këshillit të Lartë të Drejtësisë po i vjen fundi dhe ata kaq kanë në dorë dhe kaq bëjnë. Pra me të gjitha mënyrat që ata kanë në dorë po reagojnë ndaj gjithë reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi domethënë riorganizimi i gjithë sistemi gjyqësor që ka qënë deri tani, pra ata janë të vjetrit dhe sigurisht që mbrojnë njëri-tjetrin. Madje, për mendimin tim edhe KLD-ja duhet të riorganizohet dhe ky është reagimi i tyre, kështu që nuk çuditem fare nga kjo lëvizje e anëtarëve të KLD. Këshilli i Lartë i Drejtësisë po luan kartën e fundit duke mos shkarkuar gjyqtarët, sepse kaq mundësi ka dhe kaq luajnë”, deklaroi ai.
Reagon avokat Beqiraj
Në të njëjtën linjë me ish-kreun e SHISH është rreshtuar edhe avokati i njohur Idajet Beqiri. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Beqiri hodhi akuza ndaj KLD-së duke e cilësuar si një institucion të vdekur. Ai vuri në dukje se KLD nis të shkatërrohej qysh në kohën e Berishës, ndërsa theksoi se edhe sot ky institucion është një vatër që vijon të mbrojë korrupsionin dhe padrejtësisë e shkaktuara nga gjyqtarët në gjykatat e vendit. “KLD është një institucion i cili ka kohë që ka vdekur. Shqiptarët de fakto këtë institucion e kanë shpallur të vdekur pa kaluar as 4 vjet nga lindja e tij. Berisha dhe banda e tij, punën e parë që bëri kur mori në dorë qeverinë që i dorëzoi Fatos Nano në mënyrën më të turpshme në historinë botërore të shteteve dhe qeverisjeve, e shndërroi KLD në një institucion që ngriti në artë korrupsionin në gjirin e vet dhe nxiti dhe mbrojti me çdo mjet korrupsionin, paaftësitë, padrejtësitë dhe pandershmëritë në gjithë gjykatat e vendit”, deklaroi ai. Më tej, Beqiri ironizoi vendimit e fundit të KLD-së, duke theksuar se në asnjë rrethanë gjyqtari nuk mund të vras veten me duart e tij. Në këto kushte, ai shtoi se gjyqtarët mbrojnë njëri-tjetrin, pasi ecin me parimin: “të mbroj sot unë ty dhe nesër ti mbron pisllëqet e mia”. “KLD u ndërtua edhe ligjërisht e korruptuar. Përbërja e saj, vendimmarrja e saj, është ndërtuar e tillë që gurin dhe arrën e kanë në dorë gjyqtarët që e dominojnë! Ose thënë ndryshe, gjyqtarët gjykojnë vetveten! Ka gjyqtar që do të vras veten me duart e tij?! Kurrë! Për rrjedhojë, duke qënë KLD e ndërtuar me shumicë në vendimmarrje me gjyqtarë, ky institucion ka funksionuar sipas parimit: “Sot vjen për masë disiplinore si i korruptuar, batakçi dhe i paaftë ky gjyqtar, nesër më vjen radha mua! Ndaj unë e mbroj këtë pisllëk sot, tjetri, kolegu im, mbron pisllëqet e mija nesër”, nënvizoi avokat Idajet Beqiri./Rigels SELIMAN/Sot