Gazetari Dritan Hila ka komentuar nëse kryeministri Edi Rama ka frikë nga zgjedhjet lokale, te 14 majit. Hila renditi disa arsye se përse Rama nuk ka frikë nga zgjedhjet.
“Rama nuk i ka frikë fare sepse nuk shikon ndonjë rrezik real. Përballë ka një Berishë i cili nuk pranon të bashkojë edhe ato copat të PD-së. Berisha investon te një aleancë me Vangjel Dulen, i cili deri në një prove të dytë është një parti e mbaruar.
Në koalicion Berisha ka ftuar edhe personazhe që deri dje i tallte, ata që zëvendësuan në parlament demokratët që dolën. Pra kemi një shthurje totale të frontit opozitar. Që Rama nuk e ka frikë duket edhe në faktin qe po bën një muaj që është në udhëtime jashtë shtetit, në Itali, Japoni, në Mal të Zi, në Gjermani. Rama është i fokusuar në politikën ndërkombëtare.
Madje do të thosha jo në atë të domosdoshme. Rama i ka nervat e qeta sa i përket përplasjes. Duhet thënë se në politikën ndërkombëtare, Rama ka ditur të luajë bukur. Jo vetëm për faktin se është treguar një bashkëbisedues i urtë, një njeri që nuk sjell probleme në Ballkan, por duket si një njeri që po mbyll një armiqësi shumëshekullore te shqiptarëve me serbët. Është akoma me i pëlqyeshëm kur në krahun përballë, atë të opozitës është Berisha non-grata nga SHBA, që është një damkë e madhe.
Rama nuk i ka problem zgjedhjet lokale. E vetmja enigmë për Ramën është sa e thellë do të jetë fitorja. A është një lajm i mirë ky për Ramën? Po.
A është një lajm i mire për shqiptarët? Jo. Vendit i duhet një opozitë e fortë. Të paktën në pushtetin lokal ka figura të opozitës të cilat mund të bëjnë ndryshimin, të sjellin diçka të re, sepse u bënë 8 vjet që qeverisin socialistët në shumicat e bashkive.
Dhe kjo do sillte një frymë të re dhe do ngjallte besimin tek aradhet e së djathtës, që ka shpresë edhe në zgjedhjet e lokale.”, tha gazetari Hila në rubrikën “Komenti i Ditër” në Dritare TV.