Vendimi i kreut të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për të mos regjistruar Partinë Demokratike zyrtare në zgjedhjet vendore të 14 majit, duket se i ka lënë shteg rikthimit të ngjarjeve të shëmtuara të ndodhur mes 26 dhe 28 majit të vitit 1996 në Shqipëri.
Konkretisht, 26 Maji 1996 simbolizon vjedhjen e zgjedhjeve me dhunë, tentativën për eliminimin fizik të kundërshtarit, rrëmbimin, përndjekjen dhe dhunimin e përfaqësuesve të kundërshtarit politik, simbolizon pritat, rrëmbimin dhe mbushjen e kutive të votimit, si kundërvënie ndaj SHBA, etj.
Të gjitha këto në funksion të riciklimit në pushtet të Sali Berishës. Por me vendimin që mori dje zoti Celibashi, ai po synon që të lërë vendin pa opozitë si 27 vite më parë, për shkak se një parti zyrtar që njihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, sikundër është PD-ja e Lulzim Bashës, nuk lejohet të garojë në zgjedhjet e 14 majit. Qartë, Celibashi po bën lojën e Berishës dhe po asgjëson opozitën. Mirëpo kjo “lajthitje” e Celibashit, ka edhe një anë tjetër të errët apo të bardhë dhe kjo mbetet të shihet, se kush do të përfitojë. Më vendimin antiligjor, kreu i KQZ po delegjitimon edhe mazhorancën socialiste që e ka vendosur në krye të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për të qenë gardian i votës së lirë dhe jo ta vrasë atë.
Kjo do të thotë se në kushtet kur opozita do të përfaqësohet nga fraksioni anti-amerikan i “Foltores” dhe Partia Socialiste do të ketë kundërshtarë në zgjedhjet e madje në fletë votimi grupin e Berishës, ndërkombëtarët me shumë gjasa nuk do t’i njohin këto zgjedhje. Populli thotë: “Se njëherë kalon miu në mustaqe”, kështu që kryesocialisti Rama e ka punën pisk, pasi askush nuk do ja njoh zgjedhjet me kundërshtar Berishën të shpallur “non grata” nga SHBA apo Ilir Metën si kandidat i radhës për të hyrë në “listën e zezë” të Uashingtonit.
Pra nëse në zgjedhjet vendore të 2019, ndërkombëtarët mbyllën sytë dhe toleruan PS të garonte pa opozitë, këtë herë puna është e ndërlikuar, çka mund të provokojë edhe rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti dhe duke çuar vendin në dy palë zgjedhje, ato lokale dhe parlamentare, si e vetmja rrugë për të vendosur demokracinë e munguar në Shqipëri. Kujtojmë se në 28 maj 1996, krerët e opozitës si Servet Pëllumbi, Gaqo Apostoli, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe, Kastriot Islami etj., u dhunuan barbarisht nga policia dhe SHIK-u në Sheshin Skënderbeu, ku kishin dalë për të protestuar.
Janë dhunuar gjithashtu Arta Dade, Ermelinda Meksi dhe Skënder Gjinushi. Janë dhunuar në mënyrë çnjerëzore Edi Rama, Erion Braçe, Preç Zogaj, Abren Imami, Perekli Teta, ndërsa gazetari Bardhok Lala është lënë për i vdekur tek Liqeni Artificial. Zgjedhjet e majit 1996 janë zgjedhjet e vetme në Shqipëri pas rrëzimit të regjimit komunist, të cilat nuk janë njohur nga ndërkombëtarët dhe si duket nëse do të vijohet me këto ritme, edhe ato të 14 majit do jenë të tilla.