Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i është përgjigjur flakë për flakë ish-kryeministri Sali Berisha, pasi ky i fundit dhe enturazhi i tij hodhën akuza të forta në adresë të ambasadores Yuri Kim.
Dy ditët e fundit, “non grata” Sali Berisha dhe lakenjtë e tij që janë pjesë e “Foltores”, u hodhën në sulm ndaj ambasadores, pasi kjo e fundit e krahasoi timonierin e “Rithemelimit” me një “zjarrvënës që premton se do të shuajë zjarret”.
Padyshim deklarata ishte e fortë dhe “Foltorja” u trondit nga themelet, ndërkohë që dje eksponentë të saj shpërthyen në sulme ndaj ambasadores. Por kjo gjuhë e paprecedent e “Foltores” ka ngjallur reagimin e ashpër të ambasadës së SHBA në vendin tonë, e cila në një reagim për “Vizion Plus”, i ka konsideruar dje baltosje dhe mashtrimi akuzat në drejtim të ambasadores Yuri Kim.
Madje në reagim e saj, selia diplomatike, indirekt e konsideron Berishën si e shkuar dhe gënjeshtar, që sipas saj, e njohin të gjithë. “Baltosja dhe gënjeshtrat për Ambasadoren e SHBA janë një taktikë e vjetër të cilën shqiptarët e njohin sepse është përdorur ndaj çdo ambasadori si mënyrë për të sulmuar politikën e SHBA.
Këto metoda të vjetra janë të padenja për një aleat krenar të NATO-s, vend aspirant për në BE dhe mik të vyer të Shteteve të Bashkuara. Këto mbetje të turpshme të së kaluarës duhet të mbeten në të kaluarën”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.