Në vitin 2015, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm hetoi Becchettin për evazion fiskal. Procesi arriti kulmin në qershor të atij viti, kur Gjykata e Rrethit Tiranë urdhëroi ngrirjen e të gjitha pasurive të italianit, përfshirë mbylljen e “Agon Channel”.
Por, Becchetti dhe ortakët e tij nisën një betejë ligjore ndaj shtetit shqiptar, që e paditën në 21 tetor 2015 në GJEDNJ (Gjykata e Strasburgut) për heqjen e fjalës së lirë dhe ndërprerjen e transmetimit dixhital.
Nga ana tjetër, shteti e kapërceu betejën me sipërmarrësin italian, duke e paditur për skemë mashtrimi, pastrim parash, falsifikim dokumentesh, vjedhje me shpërdorim detyre. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga shteti shqiptar në 2015 dhe u kap në Angli në 3 nëntor 2015.
Por, falë betejës ligjore në Gjykatën Mbretërore të Londrës nga dallaverexhinjtë avokat që paguheshin me miliona të vjedhura nga taksa paguesit shqiptarë, ai mundi t’i shpëtonte ekstradimit për në Shqipëri.
Në 23 shkurt të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës dënoi Becchetin me 17 vite burg për veprat penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”.
Bashkë me të u dënuan Mauro De Renzis me 16 vite burg ndërsa e ëma e Becchettit, Liliana Condomitti, me 8 vite heqje lirie. Me 8 vite burg u dënua dhe Erjona Troplini, ndërsa Stavri Peçi dhe Fetah Dervishi janë dënuar me shërbim prove për shkak të moshës.
Gjykata vendosi edhe që 4 kompanitë e sekuestruara Beçhettit, konkretisht “Energji” sh.p.k. “Cable System” sh.p.k, “400 KV” sh.p.k dhe “Agon Set” sh.p.k t’i kalojnë shtetit. Edhe pse kërkohet nga shteti shqiptar të vuajtur dënimin, Becchetti ende nuk është gjetur sot e kësaj dite.”. Por në fakt nuk ka ligj as arbitrazhi dhe as Strazburgu që i’a heq dënimin Becchettit.
Rama: Histori e përsëritur, Becchetti nuk ka për të marrë gjë!
Pas publikimit të lajmit për vendimin e Arbitrazhit në favor të Francesco Becchettit, kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë lajm si histori e përsëritur, që nxirret enkas në medias sa herë që fillojnë fushatat zgjedhore në Shqipëri. Ai theksoi se si zakonisht, Becchetti nuk do të dëmshpërblehet nga shteti shqiptar.
“Para çdo fushate del që Beccheti i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim, i mori Shqipërisë 170 mln €! Pastaj shokët e tij këtu humbin zgjedhjet dhe kur vjen fushata tjetër del që s’i ka marrë atëherë po i mori tani! Prapë kështu do ndodhë me shokët e mashtros! Deri fushatën tjetër!”, komentoi Rama në llogarinë e tij në “Twitter” për çështjen “Becchetti”.
Balluku: Asnjë shans të mbahet peng Shqipëria nga një kriminel si Becchetti
Në një linjë me shefin e saj, ishte dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku. Pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, Balluku deklaroi se shtetet nuk e kanë detyrueshme të zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare administrative në dëm/favor të tyre.
Ndaj, ajo e bëri të qartë se biznesmeni Becchetti nuk do t’i paguhet fatura e dëmshpërblimit 110 milionë euro nga shteti shqiptar. Ajo e cilësoi skandaloze që Shqipëria të mbahet peng nga një kriminel, si Becchetti.
“Më vjen keq që ndjej nota kënaqësie në vendimin e Arbitrazhit. Nuk jemi ajo forcë që dalim themi se del një vendim gjyqi që na e ndryshon. Shtetet kanë të drejtë të mos marrin parasysh vendimet e Eksidit (ICSID).
Nuk ka shans që Shqipëria të merret peng nga një kriminel i këtij niveli”, iu përgjigj Balluku mediave lidhur me lajmin e “fitores së Pirros” së mashtruesit Beçhetti ndaj shtetit shqiptar në Arbitrazhin ICSID.