Shqipëria ka arritur që të mbledhë firmat në asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e propozuar në 2011 nga Dick Marty për luftën e UÇK-së. Deputeti i PS, Etjen Xhafaj thotë se kjo erdhi pasi nuk u arrit të provohej asnjë nga akuzat.
Në një intervistë për Report Tv në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, deputeti Xhafaj tha se ka pasur lobim të vazhdueshëm mes vendeve për të arritur numër të caktuar votash.
“Synimi i kësaj iniciative të grupit parlamentar të PS ka qenë që në krye të herës që të provonim një pikë e të thonim diçka por të kishim iniciativë që të ndikonte në një veprim të Këshillit të Europës e të kishte një qëndrim që supozimet të rrëzohen se s’janë të provuara.
Kolegët kanë bërë lobim konstant në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për një numër të caktuar votash që kjo projektrezolutë të ketë mundësinë të kalojë e të ndiqen hapat e mëtejshëm për një raport përfundimtar e për të fshirë këtë baltë nga historia e UÇK”, tha Xhafaj.
Votimi në Këshillin e Europës pritet të bëhet brenda kësaj stine por ende nuk dihet data e saktë.
Ndër të tjera Etjen Xhafaj shpjegoi se si nisën akuzat për Shtëpinë e Verdhë ku sipas rezolutës së Dick Marty ishte kryer edhe trafikim organesh. Sipas Xhafajt, këto s’mund të ishin të vërteta pasi në Burrel s’kishte as elektricitet dhe pretendon se qëllimi i akuzave ishte që të minohej roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Rezoluta erdhi prej publikimit të librit të ish prokurorës së luftës Carla Del Ponte në të cilën përshkruhen krime makabër që ishin kryer në Shqipëri e Kosovë dhe sipas tyre ishte bërë trasnplantim organesh. Në atë kohë u akuzuan disa efektivë të UÇK.
Për këtë arsye senatori amerikan Dick Marty përgatiti rezolutën që ishte propozim i delegatit rus dhe kishte synim ngritjen e një hetimi të tërë që të shkonte për të verifikuar akuzat dhe hapat e tjerë ligjorë e të akuzuarit. Këshilli i Europës e kaloi rezolutën dhe u zhvilluan hetime tërësore, u kontrollua Shtëpia e famshme e verdhë. Nuk u arrit të provohej asnjë nga akuzat.
Te Shtëpia e Verdhë s’kishte as elektricitet, aq më tepër aparaturat e avancuara. I gjithë hetimi ishte ngritur për të minuar rolin e UÇK ndaj PS krijoi nismën parlamentare për një kundër rezolutë dhe për të vënë në vend e për të rikthyer epopenë e UÇK”, tha Xhafaj.
Çfarë kërkon Shqipëria?
Në gusht 2022, Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).
Çfarë thoshte raporti i Dick Marty?
Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova. Sot, bazuar mbi këtë raport, vijojnë betejën në Hagë prej më shumë se 2 vitesh ish-drejtuesi i UÇK, ish presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.