Qeveria ka gati projektligjin për rritjen e pagave të sektorit publik dhe pritet që të kalojë në Kuvend për miratim. Kreu i qeverisë Edi Rama tha se brenda harkut kohor të një viti, paga mesatare në vend do të shkojë 900 euro.
Reforma e rritjes së pagave, do të prekë edhe sektorë të tjerë, duke nisur nga pedagogët e mësuesit, tek infermierët, zjarrfikësit, si edhe policinë e Shtetit, Burgjeve dhe punonjësit e Gardës. Kryeministri Rama theksoi se paga mesatare nga 563 euro që është aktualisht do të shkojë në 900 euro.
“Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave. Kemi sanksionuar e zeza mbi të bardh se në harkun e një viti paga mesatare do shkojë nga 563 euro në 900 euro”, tha Rama.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj shpjegon se kjo rritje do të shtrihet në dy faza. Brenda këtij muaji, me vendim të Këshillit të Ministrave, do të rritet paga për punonjësit e arsimit, shëndetësisë, zjarrfikësve, si edhe për policinë e Shtetit, Burgjeve dhe Gradës. Ndërkohë, në fazën e tjetër do të rritet paga për administratën, pasi projektligji i dakordësuar ditën e sotme të kalohet në Kuvend.
“Rritja e pagave do të nisë në muajin prill për të gjithë kategoritë e arsimit, shëndetësisë, policia e shtetit, burgjeve, garda dhe zjarrfikësit. Ndërkohë administratës publike qendrore dhe vendore, rritja do fillojë me miratimin e ligjit në parlament. Urojmë që miratohet brenda muajit prill, që ti hapë rrugë rritjes së pagave pas muajit maj”, tha Ibrahimaj.
Konkretisht, paga e infermierëve do të shkojë 87 mijë lekë, paga për mësuesit në shkollat 9 vjeçare do të shkojë 81 mijë lekë, ndërsa për mësuesit në shkollat e mesme do shkojë 106 800 lekë. Rritje do të ketë sërish edhe për pedagogët, paga e tyre do të pësojë një rritje prej 20%. Po ashtu do të përfitojnë edhe punonjësit e zjarrfikësve, paga e të cilëve do të shkojë në 80 mijë lekë.
I pyetur se sa efekt do të ketë në rritja e pagave në buxhetin e shtetit, Rama tha se është një efekt i konsiderueshëm, por që do të përballohet nga buxheti i shtetit.
“Do të ketë një efekt në buxhet të konsiderueshëm por plotësisht të përballueshëm. Sipas kategorive janë shuma të konsiderueshëm që ne vendosim në dispozicion”, tha Rama.
Nga kjo rritje do të përfitojnë edhe punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Policisë së Burgjeve, si edhe Garda e Republikës.
TABELA E NDRYSHIMIT TË PAGAVE
PAGA MESATARE ishte 563 euro- Bëhet 900 euro
ADMINISTRATA PUBLIKE: Nga 49 000 lekë – Bëhet 81 000 lekë
MËSUESIT E ARSIMIT BAZË: Ishte 74 000 lekë – bëhet 95 000 lekë
MËSUESIT E CIKLIT TË MESËM: Mbi 1 milionë lekë
PEDAGOGËT: Paga bazë rritet + 20%
INFERMIERËT: Paga bazë 87 000 lekë, me shtesat mbi 90 000 lekë