Inceneratori i Elbasanit u ndez dhe po djeg mbetjet e disa bashkive siç parashikohej në kontratë. Impianti i Trajtimit të Mbetjeve Urbane është tashmë në funksion të plotë dhe çdo ditë trajton rreth 120 tonë mbetje urbane të 7 bashkive të qarkut.
Pas një remonti rutinë, në këtë impiant ka nisur puna e cila konsiston në selektimin dhe më pas djegien e mbetjeve, proces nga i cili prodhohet energji. Teksa inceneratorët duket se janë kthyer në kryefjalë të akuzave politike, kryetari i Bashkisë së Elbasanit kujton kohën kur mbetjet urbane digjeshin duke helmuar gjithë qytetin.
Në vitin 2016, Elbasani ishte e para bashki e cila i dha një zgjidhje përfundimtare problemit të trajtimit të mbetjeve urbane. Më herët mbetjet digjeshin fare pranë qytetit, ç’ka detyroi Këshillin Bashkiak të shpallte gjendjen e emergjencës mjedisore. Tashmë impianti administrohet nga 7 bashkitë si një shoqëri aksionere e cila i shërben gjithë qarkut.