Dosja “Gërdeci” kaloi dje për gjykim në Gjykatën e Posaçme dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është marr zyrtarisht i pandehur.
Vendimi u mor në seancën paraprake ditën e djeshme, ku u pranua gjykimi i shkurtuar, teksa nuk ka qenë i pranishëm në sallë vetë deputeti Mediu, por përfaqësua nga avokatët Ardian Visha dhe Henrik Ligori.
SPAK u përfaqësua nga kreu Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja dhe Klodian Braho. Në sallë ishin të pranishëm edhe familja Durda, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në shpërthimin famëkeq të Gërdecit, që nuk u pranua nga GJKKO si palë në gjykim.
Flasin familjarët e viktimave dhe avokati
Nga ana tjetër, gjykata refuzoi kërkesën e familjes Durdaj për të qenë palë në procesin gjyqësor, në një kohë kur rihapja e hetimeve, u bë me kërkesë të familjarëve të 7-vjeçarit Edison Durdaj, që humbi jetën nga ky shpërthim.
Avokati Dorian Matlija, u shpreh se dosja nuk është e plotë. Sipas tij, ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve “E vetmja arsye që mund të kuptohet, sipas prokurorëve akuza në fjalë nuk paska lidhje me shpërthimin.
Unë nuk e konsideroj këtë të vlefshme si procedurë, familjarët duhet të ishin aty. Kemi mundësitë tona të ankimit. Dosja nuk është e plotë. Ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve, nuk ka për të shkuar dot para pa praninë e tyre dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe”, tha ai. Ndërkohë, Zamira Durda, e cila humbi djalin e saj të vetëm 7 vjeç nga shpërthimi i Gërdecit ka folur pas vendimit të GJKKO që të kalojë dosjen për gjykim për ish Ministrin e Mbrojtjes për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Duke qenë se familja nuk është pranuar si palë në gjykim, Durda thotë se do të vijojë betejën e saj për drejtësi.“Nuk jam e kënaqur me këtë veprim që bënë. Është e turpshme, unë do i drejtohem KLP-së dhe KLGJ-së, do të kenë ankim nga unë. Duhet të shkarkohet SPAK-u i gjithi. Kam pakënaqësi edhe për prokurorët, edhe për gjyqtarët. Në ankimim në KLP dhe KLGJ.
Zamira do të vazhdojë betejën. Është turp, vetëm për të zezën e tyre e kanë, jo për mua”, tha ajo. Akuza e shpërdorimit të detyrës për të cilën ish-ministri i mbrojtjes akuzohet parashikon një dënim nga deri në 7 vjet heqje lirie, ndërsa ajo e shpërdorimit të detyrës me karakter ushtarak dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Por është vendimi i togave të zeza ai që do të përcaktojë fatin e Fatmir Mediut, e seanca e parë e gjykimit të fillojë në 24 prill.
Zbardhet vendimi i GJKKO
Ndërkohë është zbardhur bardhet vendimi i Gjykatës së Posaçme për të pranuar gjykimin e shkurtuar për Fatmir Mediun. Ish-ministri akuzohet për shpërdorim detyre në tragjedinë e Gërdecit dhe sot pati një zhvillim të papritur në seancë. Avokatët e tij kërkuan gjykim të shkurtuar. Kjo do të thotë se procesi kalon direkt në konkluzionet përfundimtare dhe gjykim bazohet te provat aktuale. Po ashtu, mediu në rast dënimi me burg do ketë ulje me 1/3 të dënimit. Në vendimi, të cilin gazeta “SOT” po e pasqyron më poshtë, gjykata ka ftuar palët që të japin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës që do të mbahet më 24 prill dhe më pas brenda pak javësh do të jepet vendimi.
Pranimi i kërkesës
Gjykata në bazë të nenit 112, 332/dh, pika 1, gërma “c”, të Kodit të Proçedurës Penale, vendosi: Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.279, datë 27.10.2021 në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i biri i Ali-ut dhe Naxhije-s, dtl.21.01.1967, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë, akuzuar për kryerjen e veprës penale“Shpërdorimi i detyrës„ në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar nga neni 70/2 e 2 i Kodit Penal Ushtarak dhe 25 i Kodit Penal.
Vijimin e gjykimit nga e njëjta gjykatë
Pasi gjykata pyeti mbrojtësit e zgjedhur të të pandehurit Fatmir Mediu nëse i qëndrojnë kërkesës për gjykim të shkurtuar, ata e rikonfirmuan qëndrimin e tyre. Në kushtet kur i pandehuri, nëpërmjet mbrojtësve të zgjedhur, i qëndron kërkesës për gjykim të shkurtuar të paraqitur në seancë paraprake, konform nenit 403, pika 1 të K.Pr.Penale, gjykata pasi vlerësoi aktet e hetimeve paraprake, në kuadër të pavlefshmisë së akteve dhe provave të papërdorshme, në rasti konkret nuk konstatoi akte proceduriale të pavlefshme apo prova të papërdorshme, duke iu referuar kushteve konkrete për pavlefshmërinë e akteve të rregulluara nga nenet 128-130 të K.Pr.Penale, të ndryshuara me ligjin nr.35/2017 si dhe kushteve për vlefshmërinë e provave, sipas nenit nenit 151 të K.Pr.Penale.
Vendim: Bazuar në nenin 405/6 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe Vendimin Unifkues numër 2 datë 29 Janar 2003, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në vlerësim të akteve të hetimeve paraprake, gjykata, vendos pranimin e kërkesës së të të pandehurit Fatmir Mediu për të proceduar në këtë gjykim me procedurën e gjykimit të posaçëm, atë të shkurtuar, pasi çmoi se procesi i të provuarit, në kuptim të fajësisë, pafajësisë, ndryshimit të cilësimit ligjor, konsiderohet i ezauruar pa pasur nevojë për marrjen e provave të reja, nuk ka shkaqe të pavlefshmërisë absolute, apo papërdorshmërisë së provave.
Standardet
Në vendimmarrjen e saj, gjykata ka në vëmendje edhe standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, në vendimin numër 4, datë 10.02.2012, pasi në rastin konkret, nuk cenohet dhënia e drejtësisë. Gjykata Kushtetuese në Vendimin Nr.4, datë 10 Shkurt 2012, thekson se:
“…ndonëse, gjatë gjykimit të zakonshëm, është kompetencë ekskluzive e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm të bëjnë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale, në gjykimet e posaçme, siç konsiderohet dhe gjykimi i shkurtuar, kjo e drejtë duhet të ushtrohet në përputhje me veçoritë e këtij gjykimi e, në veçanti me faktin se për të proceduar me këtë lloj gjykimi, përveç kërkesës së të pandehurit kërkohet detyrimisht edhe vendimi/miratimi i gjyqtarit (shih paragrafin 18 të këtij vendimi).
E thënë ndryshe, gjyqtari në momentin e marrjes së vendimit, në lidhje me pranimin ose jo të kërkesës për gjykim të shkurtuar të të pandehurit, duhet të udhëhiqet jo vetëm nga parimi i ekonomisë gjyqësore (shih paragrafin 19 të këtij vendimi), por duhet të vendosë, kryesisht, në përputhje me parimin e drejtësisë efektive.
Kjo do të thotë që ai, ndër të tjera, duhet të marrë në konsideratë edhe cilësimin juridik të veprës penale të përcaktuar nga prokurori. Si pasojë, nëse ka dyshime mbi këtë cilësim, ky element mjafton që gjyqtari të rrëzojë kërkesën e të pandehurit për të proceduar me gjykim të posaçëm dhe të vazhdojë gjykimin me procedurën e zakonshme duke respektuar kështu të gjitha parimet e procesit të rregullt ligjor, si kontradiktoriteti, e drejta e mbrojtjes, etj.”
Çfarë sjell gjykimi i shkurtuar?
Për sa më sipër, duke pasur parasysh se gjykimi i shkurtuar, si gjykim i posaçëm, eviton fazën e hetimit gjyqësor dhe në thelb të tij ka pranimin e akteve të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak duke evituar marrjen e provave në seancë gjyqësore dhe debatin lidhur me to, me pranimin e kërkesës për të vazhduar me gjykim të shkurtuar, dosja e prokurorit kthehet në dosje gjyqësore dhe shërben si bazë në parashtrimin e konkluzioneve përfundimtare të palëve dhe dhënien e vendimit nga gjykata. Konform nenit 332/dh, pika 1, gërma “c” të K.Pr.Penale, gjykata ftoi palët të paraqesin diskutimet përfundimtare dhe nga ana e prokurorëve të çështjes u kërkua kohë për të përgatitur konkluzionet me shkrim. Seanca e ardhshme gjyqësore u caktua për tu zhvilluar në datë: 24.04.2023, ditë e hënë, ora 08.30./Sidorela Braçja