Xhulia Dhëmbi ka sjellë teze Suzanën në rubrikën “Shihemi në gjyq” te “E Diela Shqiptare”, sepse ndodhen në konflikt për shkak të një borxhi të pashlyer.
20-vjeçarja tregon se 5 vite më parë i ati ndërroi jetë për shkak të një aksidenti, çka bëri që jetesa në Tiranë të ishte shumë e vështirë.
Pas 6 muajsh, vëllai i saj u arrestua dhe përfundoi në burg për një vit. Xhulias i duhej të ndihmonte të ëmën e shqetësuar, të vazhdonte gjimnazin, si dhe të ndiqte vëllain në burg, ndaj kërkoj mbështetje nga tezja e saj, Suzana.
Kjo e fundit e ndërpret mbesën dhe e përlotur thotë se e ka ndihmuar me sa ka patur mundësi, por edhe pse kanë kaluar aq shumë vite, ajo ende nuk ia ka shlyer paratë që i ka marrë, çka i ka shkaktuar probleme në familje.
Xhulia shprehet se vëllai i saj është sërish në burg, por këtë herë do të vuajë dënimin për 3 vjet.
Suzana – Nuk ta ka njeri për borxh. Ti ke dhe një hallë dhe një xhaxha. Le të vënë dorë dhe ata, jo vetëm ne të përgjigjemi.
Xhulia – Kam 5 vite që familjen e babit e kam fshirë nga memorja dhe nuk i quaj pjesë të familjes sime sepse më kanë braktisur. Unë i kërkoj tezes sime publikisht që të më japë kohë.
Në publik ndodhet edhe e ëma e Xhulias dhe tezja tjetër. Të dyja tezet pretendojnë se xhaxhai i Xhulias ka marrë përsipër të ndihmojë fëmijët e vëllait të tij, por gjatë 5 viteve nuk ka bërë asgjë, madje as nuk i ka takuar.
Por rezulton që e ëma e Xhulias, Tefta i ka firmosur një dokument kunetërve të saj, për të cilin nuk ka asnjëri asnjë informacion se për çfarë ishte dhe se ku ndodhet tani.
Tefta – Ditën e parë e varrosa burrin, ditën e dytë më erdhën kunati me kunatën e më thanë hajde të hedhësh një firmë. Unë nuk mora vesh, as më lexuan, asgjë. Unë isha e hutuar. Tha e keni hedhur për të mos marrë hak djali dhe vajza. Kështu më ka thënë, por pse nuk del sot ai këtu, pse nuk vjen këtu të më thotë? Ai nuk na del në telefon.
Suzana thotë që e ndihmoi motrën sepse nipi përfundoi në burg, por tani kërkon t’i shlyhen paratë që u ka dhënë borxh.
Suzana – Të lutem shumë, mua më jep detyrimin që më ke. Unë të kam mbajtur boll. Ti bëj si të duash, kërko të drejtën e babit …
Xhulia – Unë të kërkoj thjesht kohë që të plotësoj dhe unë ato …
Suzana – Deri sa do vazhdojë kjo koha jote? Ti arrite më solle këtu.
Xhulia – Unë aktualisht jam në punë, në call center. Atë rrogën që marr unë do ia jap mamit që të paguaj dritat e ujin, do mbaj shtëpinë, do i çoj vëllait në Peqin, ushqime, do paguaj librat dhe tarifën shkollore apo t’ia jap tezes?
A. Gjebrea – Kur të del koha të mësosh?
Xhulia – Natën, zoti Ardit.
E. Çobani – Në këtë situatë mendoj se e vetmja gjë e qejfit që besoj se Zana pretendon është kursi i baletit. Vajza kursin e baletit e ka dhe pak si shenjë nga babai …
Suzana – Për mua është gjë qejfi!
Xhulia – Është një amanet që …
Tezja – Nuk është gjë qejfi, si gjithë vajzat, ne të krenohemi që ajo e vazhdon për hir të babait.
Suzana – Po të të kishte marrë ty lekë, e dija unë se çfarë bëje ti! Më ka marrë mua.
Xhulia rrëfen se në aksidentin që pësoi i ati do të ishte edhe ajo, pasi ishte me të në biçikletë, por zbriti sepse kishte harruar t’i lente të ëmës çelësin e shtëpisë.
Suzana tregon se ka qenë ajo që është lajmëruar e para për aksidentin e kunatit dhe i ka thënë të motrës vetëm kur i thanë se nuk mund të mbijetonte.
Xhaxhai i Xhulias, Ferdinandi u bë pjesë e kësaj seance ndërmjetësimi nëpërmjet një lidhjeje telefonike, por komunikimi i tij ishte me tone të larta e të agravuara.
Ferdinandi – Mos t’i ngatërrojnë punët ata dhe ju zonjë mos u lodhni kot se unë s’kam hedhur asnjë firmë, asnjë gjë, se ajo është gjallë. Unë në qoftë se e kam marrë atë, e kam marrë dhe e kam çuar në një zyrë avokatie, që u bë një prokurë që zonja Tefta Dhëmbi nuk është për hakmarrje dhe kërkon nga ana ekonomike, financiare për kalamajtë. Kush do i rrisë këta kalamaj? Prandaj ata mos të m’i ngatërrojnë punët mua dhe të çojnë atë dokumentin që ka marrë ajo zonja aty dhe me mua s’kanë punë fare ata sepse më kanë akuzuar dhe më akuzojnë gjithmonë sikur unë kam marrë lekë. Unë nuk jam kryetari i shtëpisë, nuk e zhvilloj gjyqin unë vetë se ata janë gjallë. Ajo do ta zhvillonte gjyqin. Gjyqi u bë.
A. Gjebrea – Zoti Ferdinand!
Ferdinandi – Leji mo p***hët ti tani! Ik e p***hu andej ti! Ma jep çik mua atë, të flas unë me atë! Mos na çaj b***ën ti tani, legen m***! Ik e zhduku!
E. Çobani – Kjo është gjuha e tmerrshme që komunikojnë këta njerëzit … Është e çuditshme!
A. Gjebrea – Zoti Ferdinand!
Ferdinandi – Ti s’ke punë fare me mua. Ik zhduku se s’të njoh fare unë ty. Ma dike dhe emrin ti mua ë?
A. Gjebrea – Zoti Ferdinand, më fal pak. Unë jam Ardit Gjebrea.
Ferdinandi – Ardito më vjen keq se kemi bërë shkollën bashkë. Unë jam nga Tirona, e more vesh apo jo? Unë kam mbaruar liceun për pikturë Ardit!
A. Gjebrea – Më fal pak, por unë jam shumë i qetë. Kështu që ti mos u shqetëso se ne s’të kemi…
Ferdinandi – Jo, unë jam i nevrikosur për arsye që ata janë të gjithë budallenj dhe janë të gjithë injorantë. Kujtojnë që gjyqin që kishte ajo, e bëj unë! Unë nuk jam kryetar familjeje! Këto lekë që mendojnë ata nuk merren si në han, hajde o burra! Ka ligje shteti shqiptar nuk punon kështu kot si puna e atyre që dy gram tru s’kanë. Mbaroi loja!
A. Gjebrea – O Ferdinand, më dëgjo pak, të lutem! Së pari mua më vjen keq për vëllain tënd dhe çfarë i ka ndodhur se kjo është një fatkeqësi.
Ferdinandi – Të vjen keq ty për vëllain tim ë?
A.Gjebrea – Më vjen keq për çfarë i ka ndodhur vëllait tënd po them.
Ferdinandi – Po ty po të të vinte keq për vëllain tim, ta dish mirë historinë. Ajo e ka çmendur fare vëllain tim, e ka luajtur mendsh! Vëllai im ikte rrugës e s’e merrte vesh kur ishte feneri i kuq e kur ishte jeshil dhe erdhi tjetri e fluturoi andej. E merr vesh ti?
A. Gjebrea – Unë pikërisht këtë dua të kuptoj, çfarë ka ndodhur.
Ferdinandi – Dëgjo Ardit! Se të shikoj gjithmonë në televizor, kemi mbaruar shkollën bashkë e jemi nga Tirona. Po të ishte ndonjë tjetër s’flisja fare. Më thuaj ti ça ke, fol!
A. Gjebrea – E para një herë unë dua të kuptoj se akoma nuk po kuptojmë çfarë ka ndodhur më vëllain tënd. Si ka ndodhur aksidenti sepse nuk e dimë.
Ferdinandi – Ja ta shpjegoj unë si ka ndodhur aksidenti. Vëllai im kalon rrugën dhe vjen një makinë e përplas. Ai personi është nipi i një prokuroreje të madhe që ka qenë në atë kohë në Prokurorinë e Përgjithshme të Tiranës. Ne nuk e “hëngrëm” dot atë se ata ishin të mëdhenj. Ferdinandi ka dhënë një thes me pare dhe nuk e “hëngri” dot! Gjyqin e fituan ata sepse bëri gabim nusja e vëllait tim dhe ato të dyja që kanë ardhur aty. E hodhën firmën kur erdhi postieri dhe nuk na lajmëruan fare! Nuk vajtën fare në gjyq dhe ata fituan gjyqin në mungesën tuaj!
A. Gjebrea – U bë gjyqi Ferdinand?
Ferdinandi – U bë gjyqi dhe nuk morëm pjesë fare. Unë isha në Greqi. Mua më merr prokuroria dhe më thotë që gjyqi është bërë dhe ata e fituan sepse nuk pati njeri nga pala juaj. Më tha çfarë janë këto që bën, ne të lamë ty që ta bësh këtu punë, ti …
A. Gjebrea – Për çfarë u bë gjyqi?
Ferdinandi – E bëri gjykata, caktoi ditën e gjyqit që të bëhej gjyqi a do dënohet personi a s’do dënohet. Personi u dënua me dy vjet më duket dhe doli i lirë.
E. Çobani – Ferdinand pse nuk je i qetë kur flet, të lutem.
Ferdinandi –Nuk jam i qetë se i kam nervat në majë të kokës.
E. Çobani – Ne nuk të kemi marrë për të të akuzuar se më duket se na ke keqkuptuar.
Ferdinandi – Pas kaq kohësh interesohen, unë që në momentin e parë i thoja asaj merr kalamajtë dhe hajde.
E. Çobani – A ka firmosur zonja Tefta një prokurë në emrin tuaj? Kaq gjë mund të ma thuash?
Ferdinandi – Jo, nuk kam bërë asnjë lloj dokumenti që të dal i përgjegjshëm për këtë gjë se ajo ishte e zonja e shtëpisë.
E. Çobani – Ju nuk keni asnjë dokument në emrin tuaj?
Ferdinandi – Asnjë dokument në emrin tim nuk kam. Ndodhet një dokument në dosjen e vëllait tim, që e kërkoi prokuori, sepse ata kishin frikë se mos hakmerreshim. Se unë u thashë që deri në momentin e fundit unë do të hakmerrem me ju se më keni vrarë vëllain!
E. Çobani – Ju keni marrë ndonjë kontakt me zotërinë që e shkaktoi këtë aksident?
A. Gjebrea- Ferdinandi thotë që unë do ta gjej se kush është që do të thotë që s’e ka gjetur akoma.
Xhulia – Unë këtë fjalë e kam dëgjuar para 5 vitesh dhe kam për ta dëgjuar prapë. Nuk ka për të bërë asgjë! Pyetja qëndron shumë e thjeshtë: Pse e ka marrë mamin tim vetëm dhe nuk e ka marrë me një familjar të familjes së vetë? Pse nuk mori tezen time? Tezja ime i tha a të vij dhe i tha jo nuk ka nevojë se jemi ne të dy. Unë dua një dokument në shtëpi që mami ka hedhur një firmë dhe ti nuk ke asnjë gjë! Dua një vërtetim që të besoj dhe unë se me fjalë flasin të gjithë!
Ferdinandi pretendon që familja e vëllait të tij e ka hedhur poshtë mundin e tij, pasi kanë firmosur për të shkuar në gjyq, nuk i kanë thënë gjë dhe as nuk janë paraqitur.
Xhulia – Të kam dëgjuar ditën e parë që ke folur dhe më bojën s’ta kam parë 5 vite. Atëherë ti i the zotit Ardit që do ta gjejmë atë person. Ti kur s’je përgjigjur për mua, nga do e gjesh atë personin që ka plagosur babin tim?
Ferdinandi – Mos bëj dër-dër aty se s’kam punë fare me ty. Mua mos më lidh me asnjë person se unë s’kam asnjë lidhje, asnjë dokument, asnjë gjë. Për mua ata kanë vdekur ata të gjithë!
Juristja Çobani tha se pafajshmëria e personit që shkaktoi vdekjen e të atit të Xhulias është shpallur në vendimet e prokurorisë, ndaj çështja s’ka patur nevojë për të shkuar në gjykatë. Ajo ngre pyetjen se kush e ka çuar çështjen në gjykatë, pasi nuk gjendet asnjë dokument për ta vërtetuar, por Ferdinandi e përmbyll duke thënë që dëshmitaret ndodhen aty dhe se do të takohet personalisht me juristen.
Tefta kërkoi që Ferdinandi të ishte aty, jo për të, por për nipin dhe mbesën e tij.
Ndërmjetësja e seancës tregon të gjithë ngjarjen e datës 8 Tetor 2012, duke thënë se makina që ka përplasur zotin Guri ka përplasur edhe një person tjetër me biçikletë, i cili është dëshmitar i të gjithë ndodhisë. Ajo shtoi se drejtuesi ka dalë nga automjeti për të pyetur një polic të ndodhur aty pranë nëse mund ta çonte të plagosurin në spital dhe më pas ka lëvizur makinën nga vendngjarja, çka është diçka e paprecedent. Personi e ka çuar Gurin në spital dhe më pas është kthyer në vendin e ngjarjes.
“Se si janë bërë veprimet hetimore që i takojnë këtij procesi, unë këtë dokumentacion nuk e kam. Por i jam referuar vendimit të mosfillimit të prokurorit në vitin 2012. Dhe çfarë del nga studimi i thellë që i ka bërë prokurori kësaj çështje? Që zotëria është i pafajshëm. SI mund të jetë i pafajshëm një zotëri kur nuk është vërtetuar me asnjë fotografi gjendja e zotit Guri në momentin e rënies. Dosja ka vetëm fotografi të zonës, por unë nuk kam parë ku është zoti Guri, viktima që është rrëzuar. Si janë bërë më pas procedurat hetimore kur nuk është parë se ku është rrëzuar viktima? Me dhimbje e them që drejtuesi i mjetit është pjesëtar i administratës së Prokuorisë së Përgjithshme dhe sigurisht që kjo e vështirëson deri diku punën e kolegëve të tjerë për të vazhduar punën deri në fund. Zotëria ka dalë i pafajshëm dhe situata doli pa zot. Pra faji i ka ngelur zotit Guri, i cili e mori me vete në botën tjetër. ”
Juristja tregon se Tefta i ka bërë një kërkesë Prokurorit të Përgjithshëm, i cili rifilloi çështjen penale, duke e rikthyer në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2014. Në këtë seancë gjyqësore janë thërritur Tefta dhe Xhulia, të cilat nuk kanë qenë fare në vendngjarje.
“Nëqoftëse ne do të vazhdojmë me këtë studim sipërfaqësor që i bëjmë aksidenteve apo fatkeqësive që ndodhin pa dëshirën e askujt sepse thashë që ne jemi të gjithë operatorë të rrugës dhe këto fatkeqësi mund të na takojnë të gjithëve. Por përgjegjësia është një detyrim tjetër! Ka instituione që duhet të merren me hetimin e çështjes dhe këtu rëndësinë më të madhe e kanë provat në momentin e ngjarjes. Provat nuk i bën prokurori, por oficeri i policisë gjyqësore me policin, që thirret për aksidentin që ndodh. Unë përgjegjësinë kryesore e kam për këto prova të vendngjarjes. Në çformë janë marrë provat e pozicionimit të mjetit në momentin e aksidentit?”
Ndërkohë publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Xhulias për vonesën e shlyerjes së borxhit ndaj tezes së saj. Ajo i premtoi publikisht që do t’ia shlyejë borxhin, por Suzana u shpreh se kështu i ka thënë gjithmonë.
Xhulia tha se e vetmja mbështetje për të është familja e të ëmës, ndaj do të bëjë dy punë, do të ndjekë çështjen e të atit dhe do t’ia japë paratë tezes, duke e mbyllur kështu edhe këtë seancë ndërmjetësimi në rubrikën ‘Shihemi në gjyq”./ tvklan.al