Evi Kokalari, anëtarja e Komisionit të Rithemelimit, denoncoi publikisht Belind Këlliçin, se ka mashtruar me diplomën e ciklit të mesëm arsimor dhe vëllain e tij për falsifikim të dokumentave në SHBA, për të hyrë në universitet.
Muaj më parë Kokalari pohoi, se kandidati për Bashkinë Tiranë i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, nuk e ka përfunduar arsimin e mesëm dhe përmes falsifikimit të aplikimit, që konsiderohet krim federal në SHBA, ka arritur të regjistrohet në “Coopin University” në Maryland, i ndihmuar nga i vëllai Reshard Këlliçi, i cili punonte në këtë fakultet dhe jo si fituesi i një burse si “kampion tenisi”.
Akuzat e saj ishin tepër të rënda ndaj ne nisëm verifikimin e fakteve, fillimisht duke i bërë kërkesë “Institutit Harry Fultz” për përfundimin e ciklit të mesëm, pastaj investiguam a ndodhet emri i Këlliçit tek regjistrat e maturës, që vërteton përfundimin e ciklit.
Pas disa ditë pritje, bazuar mbi përgjigjen zyrtare nga shkolla ku Këlliçi ka bërë ciklin e mesëm, rezulton se ai nuk e ka përfunduar shkollën e mesme, por ka përfunduar 4 vite nga 5 që ka ky institut dhe gjatë viteve 2004-2005 është larguar jashtë vendit.
Përgjigja nga Instituti Harry Fultz drejtuar kërkesës së Ekskluzive.al
Të njëjtin fakt e provon dhe Ministria e Arsimit, që Belind Këlliçi nuk është pajisur me një diplomë të vlefshme të shkollës së mesme, sepse në regjistrat e maturës shtetërore nuk gjendet emri i tij.
Përgjigja e Ministrisë së Arsimit, se nuk ka të dhëna për emrin Belind Këlliçi në regjistrin e maturës
Nga ana tjetër, ka qenë Këlliçi që ka kërkuar njësimin e diplomës universitare pranë MASH kur është kthyer nga SHBA, duke e ditur që nuk e ka përfunduar arsimin e mesëm në Shqipëri.
Njësimi i paligjshëm i diplomës universitare nga ana e Ministrisë së Arsimit qëndron në faktin se një diplomë universitare “Bachelor”, niveli 6 i kualifikimit, sipas Kornizës Shqiptare e Kualifikimeve, është njohur si “master i shkencave”, niveli i 7 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, në kundërshtim me ligjin nr. 10247/2010 “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, (sipas të cilit, të kesh akses në nivelin 6 të kualifikimit duhet të kesh përfunduar nivelin 4 të kualifikimeve) dhe ligjin nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” (neni 92 i tij).
Por, siç na u konfirmua zyrtarisht edhe nga Instituti “Harry Fultz”, edhe nga Ministria e Arsimit, Këlliçi nuk rezulton të ketë diplomë të shkollës së mesme, e për rrjedhojë nuk ka si të kryhet njësimi i diplomës universitare.
Nga ana tjetër, nga dokumentacioni i siguruar nga Ministria e Arsimit lidhur me këtë çështje, Këlliçi ka deklaruar përpara komisionit të njësimit të diplomës (deklarata e depozituar prej tij në MAS), se kriteri hyrës në Universitetin që ai ka përfunduar studimet është “përfundimi i shkollës së mesme”.
Ky fakt konfirmohet edhe nga një hulumtim në faqen zyrtare të “Coppin University”, ku sipas saj, kriteri minimal hyrës në këtë universitet është pikërisht “përfundimi i shkollës së mesme”. Po atëherë si ka mundur që Belind Këlliçi të regjistrohet në Universitetin amerikan, pa pasur diplomën e shkollës së mesme?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet të kthehemi pas në kohë, në vitin 2005. Nga informacionet që ka mundur të mbledhime, në vitin kur Belind Këlliçi është regjistruar në “Coppin University” (2005), vëllai i tij punonte pikërisht në zyrën e pranimeve të studentëve të universitetit amerikan.
Ka dyshime të forta se ka qenë pikërisht vëllai i tij, i cili nëpërmjet ndërhyrjes së tij, e ka ndihmuar të regjistrohet lehtësisht në këtë universitet, pa e pasur diplomën e shkollës së mesme.
Vetë Këlliçi ka rrëfyer se vëllai i tij e ka mbështetur shumë gjatë viteve si student në SHBA, si edhe ka pranuar se ai është edhe financuesi kryesor i fushatës së Këlliçit me sponsorizime prej mijëra eurosh në Facebook.
Sipas fakteve dyshohet se Belind Këlliçi ka gënjyer universitetin amerikan në shtetin e Maryland dhe shtetin shqiptar kur ka bërë njësimin e diplomës, i pari krim federal në SHBA dhe i dyti vepër penale në Shqipëri.