Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të shkelë në SHBA, sa të jetë në detyrë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ai u shpreh se do të vijojë me padinë në gjykatë deri në fund të jetës, sa i përket vendimit të sekretarit të Shtetit Amerikan për shpalljen “non grata” të tij dhe kërkesën për falje, që sipas tij Blinken nuk do ta bëjë kurrë.
“Nuk kam kërkuar kurrë të hiqet “non grata”, por sa të jetë Blinken në detyrë nuk shkel kurrë në SHBA. Unë nuk kam kërkuar kurrë që të hiqet kurrë ky vendim, e kam hedhur në gjyq për shpifje sekretarin e Shtetit. Kam deklaruar se sa të jetë ai në detyrë unë nuk do shkel kurrë në atë vend.
Do të vazhdoj padinë në gjykata deri në ditën e fundit time, sepse ai ka marrë një vendim korruptiv të bazuar mbi vendimin korruptiv të Soros e Ramës dhe tani del mafia McGonigal me kompani.
Unë kam zgjedhur sallën e gjyqit dhe kërkesën për ndjesë publike nga sekretari i shtetit që nuk ta bëjë kurrë se ata që marrin vendime të tilla arroganca nuk i lejon të ndërmarrin”- nënvizoi Berisha në intervistën për A2 CNN.
Emri im i kall datën Ramës
“Një fushatë fitore për Sali Berishën që ka elektrizuar vendin nga jugu në veri, pavarësisht mungesës së emrit të tij në listë”, e ka cilësuar lideri historik demokrat fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit. Në Intervistën me Merita Haklajn, Berisha tha se Rama ka frikë të tmerrshme nga emri i tij.
“Një fushatë në të cilën për herë të parë që nga ‘91 mblidhen njerëz të idealeve demokratike pa asnjë lidhje me narkoshtetin përveç bashkisë Shkodër që shkëlqen më performancën e saj, krahasuar me të gjitha bashkitë e tjera moniste të vendit. Një fushatë që zhvillohet pa emrin në letra të Sali Berishës për shkak të frikës së tmerrshme që emri i tij i kall Edi Ramës.
Kjo dëshmi e një frike të pashërueshme të njeriut që mban të gjitha pushtet, që urdhëron gjykatësit të ekzekutojë të drejtën në sallën e gjyqit, njëlloj si ekip pushkatimi që urdhëron nëpunësit të shkelmojnë ligjin vetëm se në këtë mënyrë mendon se do t’i shpëtojë disfatës së tmerrshme që e pret në mënyrë të pashmangshme”, tha Berisha.
Edhe pse garon në siglën e koalicionit “Bashkë fitojmë”, Berisha thekson se nuk do të ketë forcë në botë t’i rrëmbejë fitoren PD-së. Sipas tij fleta është një letër e vdekur, ndërsa ai në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve.
“E vërteta është që nuk do të ketë forcë në botë t’i rrëmbejë fitoren PD. Kjo është ajo që u them shqiptarëve mjerë ai që e provon. Po çfarë dëmi më bën mua fleta në një kohë kur jam i pranishëm në vatrat, mendjen e zemrën e shqiptarëve. Fleta është një letër e vdekur”, tha ai.