Gjykata e Strasburgut gjobiti Shqipërinë për cënim të të drejtës për liri duke e detyruar t’i paguajë një ish-zyrtareje 8 mijë euro për paraburgim të paarsyetuar nga gjykatat vendase në vitin 2013 dhe 2014.
Edhe pse ish-zyrtarja e Kontrollit Tatimor u dënua nga drejtësia për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, thotë se gjatë procesit të hetimeve ajo u mbajt në qeli në mënyrë të padrejtë.
“Rëndësia e veprës penale ose pasojat e saj, nuk përbëjnë arsye të që justifikojnë paraburgimin dhe nuk mund të justifikojnë në vetvete, heqjen e lirisë së një të dyshuari.”
Aktualisht në Shqipëri, numri i personave të cilët janë mbyllur në qeli si të dyshuar, është më i lartë se numri i atyre që janë gjetur fajtorë dhe dënuar.
Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve tregojnë se mbi 2653 qytetarë ndodhen në ambientet e paraburgimit dhe pjesa më e madhe e tyre si përfshirë në çështje të drogës. Numri i të dënuarve është 2238 dhe pjesa më e madhe e tyre, janë gjetur fajtore për vrasje dhe çështje të drogës.
Politikat e ashpra penale në masat e sigurimit dhe mungesa e dënimeve alternative nga dretësia, janë parë prej vitesh si shkak kryesor për mbipopullimin e paraburgimit në Shqipëri.