Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias i ftuar në televizionin Ant1 për të komentuar rezultatin e zgjedhjeve greke është pyetur, mes të tjerash edhe për çështjen e Fredi Belerit pas vendimit për zgjatjen e masës së paraburgimit të tij.
“Ministria e Jashtme ka dhënë një njoftim zyrtar”, ka thënë ai duke theksuar se “zgjatja e paraburgimit, bie ndesh me ndjenjën e drejtësisë publike dhe perceptimin europian të shtetit të së drejtës”. Por ka edhe gjëra që nuk thuhen në publik ka shtuar Dendias.
“Takova edhe homologen time shqiptare dhe i thashë gjithçka që shumëkush kupton se duhet t’i thoja. Ne nuk duam të sjellim askënd në pozitë të vështirë, por nga ana tjetër jo vetëm qeveria greke, por edhe BE nuk do të tolerojë shkeljet e shtetit ligjor nga një vend në Europë”, – ka thënë kreu i diplomacisë greke.
“Kur u themi të gjitha vendeve se duhet të ketë drejtësi të pavarur, të gjitha vendet që janë në rrugën e anëtarësimit, dhe me të drejtë e themi këtë, në asnjë mënyrë kjo që nuk mund të kundërshtohet dhe të mos zbatohet , pra të ketë drejtësi të pavarur.
Por meqenëse kemi edhe një periudhë zgjedhore nuk dua të shndërrohet ky problem në një çështje të fushatës zgjedhore. Sistemi grek e njeh në mënyrë absolute këtë çështje dhe ka identifikim absolut të pikëpamjeve, ndaj mendoj se në tërësi e di shumë mirë se çka duhet bërë atje dhe do ta bëjë me gjithë seriozitetin e duhur. Është gjithashtu për të ardhur keq që ndodhi kjo sepse marrëdhëniet greko-shqiptare në këtë periudhë shënuan një përparim të jashtëzakonshëm”, u shpreh ai.
Duke ju referuar rrugëtimit të Shqipërisë në BE, Dendias ka theksuar se nuk përdor gjuhë kërcënuese për sa i përket ndikimit të kësaj ngjarjeje në këtë proces dhe ka shtuar se në Bruksel u tha çdo gjë që duhej thënë aty ku duhej thënë, ashtu si duhej thënë dhe Greqia pret rezultatet.