Fotografi Felix Bilani, i cili ka bërë edhe foton e fundit të Azem Hajdarit pas atentatit dhe të pajetë, ka kujtuar përmes një postimi në FB ato momente të vështira të 12 shtatorit të vitit 1998.
Bilani shkruan se lajmin ia dha Olldashi. Ai rrëfen bisdetat me të dhe foton e fundit të Azemit të gjakosur.
“12 shtator 1998, në atë kohë punoja për gazetën “Albania”. Rreth orës 09 e 30 ulëm tek bar “Mariela” për të pirë kafen, mora gazetat dhe po u hidhja një sy, kishte media në atë kohë…Ngjarjet ishin të rënda, pasi bëra koronikat apo fotot e ditës, rreth orës 15:00 shkoj në redaksi, puna e zakonshme.
Me Sokol Olldashin, në atë kohë zv/kryeredaktor në këtë gazetë, rreth orës 16:00 shkuam tek piceri “Magelani” te pinim nga teke fernet dhe kafen. Koli e kishte qef fernetin . Me biseda mbi letërsinë dhe poezinë, e pak për gazetarinë, çohemi dhe shkojmë në redaksi, unë ndenja dhe pak pasi nxora disa foto nga arkivi dhe largohem për shtëpi.
Ishte mbrëmje kur më flasin në radio, pasi gazeta kishte radio dhe jo si sot telefon. Botuesi Ylli Rakipi më thotë që duhet të shkoj urgjent në redaksi. Shkoj për pak minuta pasi e kisha afër redaksinë, mbeta pak i shtangur. Ylli ishte i mbushur, Sokoli gjithashtu. Astrit Patozi nuk fliste por i mbushur në sy dhe ai. “Ça ka ndodh”- pyes?
Sokol Olldashi me thotë: “Na e vranë Azemin dhe duhet të shkojmë në Spitalin Ushtarak.” Mbetem dhe mpihem.
Vetvetiu më kaluan disa situata të Azem Hajdarit para syve. Nga hyrja në Tropojë ishte i plagosur atëherë (ngjarja kur Gafur Mazreku e plagosi në parlament ) e deri tek momenti i fundit në Qytet Studenti (ngjarja kur u vra një efektiv i forcave të ndërhyrjes së shpejtë ) ku më shpëtoi nga Agim Shehu zv.ministër i asaj kohe, pasi në atë kohë isha në gazeten “Koha jone”
Fjalët që më tha atje ishin: “Feliks, mos fotografo pa ardhur unë sepse po vjen Agim Shehu dhe ti e di që as ty e as një gazetar te ‘Koha jonë’ nuk e ka mirë me të.”
Këto e të tjera më kalonin në mendje gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak. Mbërrijmë. Tek ajo që quhet urgjencë në Spitalin Ushtarak ishin shume njerez, aq shumë sa me shumë zor çamë turmën dhe hymë brenda.
Futem brenda, eci tek dera majtas që shkon në salle operacioni, edhe aty shumë njerëz . Ylli Rakipi më thotë që do bësh foton e fundit të Azemit, zëri i dridhej dhe ishte i mbushur në sy nga lot që mezi i mbante, po kështu edhe Sokol Olldashi.
Më futën në një derë djathtas. Futem brenda, shoh njerëz që ishin të afert dhe lotonin, unë në qafë përveç aparatit tim kisha dhe aparatet e dy kolegëve pasi vetëm unë do hyja brenda.
Shoh Azemin dhe sytë më mbushen. Për herë të parë duart nuk më bënin të prekja aparatin. Nuk kishin vrarë vetëm Azemin, së bashku me të vranë fjalën e lirë, vranë median e lirë, vranë atë që ishte gjithmonë pro lirisë, edhe brenda PD. Këto mendoja aty tek shihja trupin pa jete të njeriut që kundërshtoi Ramizin e çdokënd tjetër për një liri dhe një demokraci.
Dëgjoj një nga personat aty që më thotë të mbaroja dhe të dilja. Me duart që më dridheshin shkrep disa herë aparatet dhe dal. Me mendjen dhe mendimin që tashmë askush nuk mund të mbrojë më lirinë e fjalës. Bëra foton e vetme dhe të fundit të njeriut që la përgjysmë ëndrrën e tij për një demokraci në PD dhe në Shqipëri.
Ps: Për arsye se fotoja është e bërë me film, pra vite më parë kjo është foto e marrë nga Google dhe e botuar në gazeten Albania të asaj kohe”.