Takimi me gjermanin Ludvig
Në mbrëmjen e 26 tetorit të vitit 1943 Iliaz Bazna takohet me një zyrtar të lartë të ambasadës gjermane, për të cilin kishte punuar më përpara, dhe i ofron atij faksimilet e dokumenteve sekrete. Zyrtari i lartë gjerman i njohur me pseudonimin “Pierre”, ishte rekrutuar nga RSHAVI, dhe quhej Ludvig C. Bazna dhe ai punuan së bashku në fshehtësi. Bazna i kërkoi gjermanit 20 mijë stërlina në këmbim të informacionit. Gjermani e refuzoi për momentin kërkesën e shqiptarit, duke i thënë se nuk ishte i gatshëm të jepte shuma të tilla. Megjithatë, ai e kuptoi se bëhej fjalë për një informacion shumë të rëndësishëm dhe këmbënguli të shikonte dokumentet.
Bazna i tha se nuk ishte aq budalla sa t’ia jepte dokumentet para se të paguhej, përndryshe do t’ua shiste ato sovjetikëve. Ai i tha gjermanit se do t’ia jepte dokumentet në bobinë filmike, por kjo do t’u kushtonte gjermanëve 15 mijë stërlina. Ludvigu kishte në dispozicion 3 ditë për ta vlerësuar ofertën e shqiptarit.
Bazna do ta telefononte Ludvigun në ambasadën gjermane në datën 30 tetor 1943, në orën 3 pasdite dhe do të prezantohej në telefon si “Pierre”. Ai do të pyeste nëse Ludvigu kishte ndonjë letër për të. Nëse përgjigja do të ishte negative, atëherë gjermanët nuk do të dëgjonin më kurrë për të. Ishte pak pas mesnate kur vizitori veshi pallton, vuri një kapele që i binte pak mbi sy dhe shkoi te dera ku ndodhej Ludvigu. U ul pranë gjermanit dhe i tha me zë të ulët: “Ju doni të dini se kush jam unë? Jam rekruti i ambasadorit britanik. Pasi u fut brenda, Bazna në mënyr të habitshme iu zhduk nga sytë Ludvigut i cili fillimisht e ndoqi atë nëpër rrugë, por nuk e pa më. Mengjesin tjetër Ludvigu ia tregoi historinë e tij ambasadorit gjerman në Turqi, Franc Fon Papen. Por ky nuk u habit, pasi ishte marrë me spiunazh dhe intriga. Kishte rekrutuar spiunë në Amerikë, madje kishte kontaktuar edhe me Mata Harin, me famë, dhe tashmë ishte përfshirë në të gjitha kombinacionet sekrete brenda Rajhut të Tretë. Duke qenë se Turqia ishte një vend neutral, ajo ishte bërë një qendër e spiunazhit të të gjitha fuqive të mëdha.
Si e mori shqiptari emrin “Cicero”
Fon Papen i tha Ludvigut se nuk ishte i autorizuar ta paguante shumën prej 20 mijë stërlinash, për një informacion akoma të pavërtetuar. Për më tepër, ai i tha se ky vendim duhet të merrej nga nivele më të larta shtetërore në Gjermani, pra nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë të asaj kohe, Joakin Fon Ribentrop.
Ambasadori i dërgoi një mesazh të koduar Ribentropit, ku i shpjegonte situatën dhe i kërkonte shumën prej 20 mijë stërlinash si fillim, ndërsa më pas do të procedohej edhe me shuma të tjera. Shuma duhet të mbërrinte në Ankara jo më vonë se 30 tetori, përndryshe operacioni do të dështonte. Edhe pse ambasadori nuk e mendonte të tillë, përgjigjja nga Berlini ishte pozitive.
Ludvigu shkoi më pas, sipas urdhrit, në zyrën e ambasadorit. Papeni i tha Ludvigut se duhej të bënte marrëveshje me atë që tashmë do të quhej “Ciceron”, sipas emrit të marrë nga oratori i famshëm romak, pasi informacioni ishte shumë shpresëdhënës. Ambasadori i tha Ludvigut se korrieri kishte mbërritur dhe me vete kishte sjellë edhe 20 mijë stërlinat.
Megjithatë, ambasadori e këshilloi Ludvigun që të ishte i kujdesshëm, pasi puna që po bënte ishte me rrezik. Takimi u bë në vendin e caktuar dhe shqiptari i dorëzoi Ludvigut dy bobina filmike 35 mm. Ndërsa Ludvigu u zgjat të merrte bobinat shqiptari i qetë i tha: “Më parë, paratë”. Ludvigu i nervozuar hapi zarfin dhe numëroi paratë.
Ai këmbënguli që, gjithsesi, para se t’ia jepte Ciceronit, t’i shihte filmat të zhvilluar, sepse nuk besonte. Ciceroni ra dakord për të pritur vetëm gjysmë ore. Ludvigu e mori filmin dhe e pa të zhvilluar në një dhomë të errët pranë zyrës së tij. Informacioni përmbante të dhëna të rëndësishme të kohëve të fundit. Ludvigu më në fund vendosi të kryente pagesën.
Që nga ky moment Ciceroni vazhdoi ta furnizonte Ludvigun me sekrete shumë të vlefshme, të cilat ai i fotografonte me shumë kujdes dhe i ruante në godinën e ambasadës britanike. Materiali i zbuluar nga Ciceroni ishte një thesar sekretesh, duke përfshirë edhe planet e Konferencës së Kazablancës midis Ruzveltit, kryeministrit britanik, Çërçill dhe liderit nacionalist kinez, Çan Kai Shi.
Më pas Bazna u dha gjermanëve edhe planin e Konferencës së Teheranit, midis presidentit Ruzvelt, Çërçillit dhe Stalinit. Nga detajet që mësuan mbi këtë takim të nivelit të lartë, nazistët kuptuan për herë të parë planet e aleatëve mbi pushtimin e Evropës.
Por komanda e lartë gjermane, pasi i studioi dokumentet e ardhura nga Stambolli vendosi të mos i pranojë ato si të verteta, duke arritur në përfundimin se informacioni ishte një sajesë e britanikëve për t’ua hedhur nazistëve.
Plani ishte shumë i mirë për të qenë i vërtetë. Gjermanët në vend të kësaj i besuan plotësisht informacionit të sjellë nga një agjent i tyre i rekrutuar nga britanikët, i cili njihet në terminologjinë e spiunazhit si “njeriu që kurrë nuk ekzistoi”.
Rrjedhja e informacioneve shumë të vyera të Ciceronit ndaloi në pranverë të vitit 1944, kur aleatët mësuan se diçka serioze kishte ndodhur në ambasadën britanike në Ankara. Aleatët e mësuan këtë jo si rezultat i shërbimit të tyre sekret, por nga goja e vetë ministrit të Jashtëm të Rajhut, Riobentrop, ose e thënë më saktë nga një spiun aleat, nga të paktët që kishin mbetur në Gjermaninë e asaj kohe. Ky agjent ishte Fric Kolbe, i cili kishte punuar për një kohë të gjatë në administratën naziste, një patriot gjerman që i urrente nazistët.
Kolbeg kishte arritur të vihej në kontakt prej kohësh me zyrën e shërbimit strategjik OSS dhe shefin e saj Alen Dallas në Berë të Zvicrës, duke i dhënë atij dokumente shumë të rëndësishme.
Në fillim të vitit 1944 Kolbeg kishte arritur të dekodifikonte një telegram të ardhur nga ambsadori Papen për Ribentropin në Berlin, ku bëhej fjalë për informacione sekrete të ardhura nga spiuni Ciceron, dhe ku thuhej se ky informacion vinte direkt nga zyrat e ambasadës britanike në Ankara. Ai ia kaloi këtë informacion në mënyrë urgjente Dallesit, i cili ia përcolli më tej në Inteligjent Servisit.