Siç raporton ”Shqiptarja.com”, që nga dhjetori i 2017, përplasjet dhe agresioni fizik kanë shënjuar dhe udhëhequr aksionin politik të Partisë Demokratike, duke e kthyer këtë forcë politike në kohët e zeza të pushtetit të parë të Sali Berishës.
Në këtë kuadër, ideja dhe tentativa e sulmit të djeshëm fizik mbi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në Komisionin Parlamentar të Medias, është pjesë e kësaj strategjie, e cila frymëzohet dhe mbështetet publikisht nga kryetari i PD, Lulzim Basha dhe paraardhësi i tij, Sali Berisha.
Pikërisht për shkak të agresionit fizik të opozitës, shumica anuloi edhe seancën e fundit plenare. Seanca paraardhëse u shoqëruar gjithashtu me konfrontime dhe me pushtimin e foltores së Kuvendit.
Në prag të vendimit për hapjene negociatave dhe më pak se një vit para sfidës së zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike, ka përshkallëzuar aktet dhunës në jetën parlamentare, ku dominon forca e gjymtyrëve dhe jo fjala. Kalimi i opozitës nga dhuna verbale në atë fizike ka startuar që në seancën e zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme, Arta Markut, mes tymit dhe flakëve, në fund të vitit të kaluar
Aktet e dhunës të demostruara nga Partia Demokratike janë gërshetuar brenda dhe jashtë Parlamentit. Partia Demokratike mori, mbrojti dhe ktheu në kauzë dhunën gjatë protestës kundër heqjes së tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit, ku dogjën dhe u shkatërruan sportelet e kompanisë.
Një tjetër akt dhune, pjesë e të cilit u bë edhe një ish-deputet i PD, u shënuar edhe në Varrezat e Dëshmorëve, në 5 Maj të këtij viti, ku dhunuan disa pleq, nostalgjikë të ish-diktatorit Enver Hoxha. Në 26 Maj, Partia Demokratike prishi traditën e protestave paqësore nën drejtimin e Lulzim Bashës. Një grup protestuesish të Partisë Demokratike u konfrontuan me kordonin policor për të hyrë në Ministrinë e Brendshme. Gjatë përleshjeve mbetet të plagosur 9 policë dhe disa protestues.