Trupa gjykuese e përbërë nga treshja e gjyqtarëve; Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari do të marrin vendimin përfundimtar nëse Ilir Toska do të konfirmohet apo do të shkarkohet nga detyra si pjesë e sistemit të drejtësisë.
Ditën e sotme në orën 11:00, gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Tiranë do të dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’u njohur me rezultatin e verifikimit të trefishtë, për ligjshmërinë e pasurisë, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale.
Nga viti 2004 deri në vitin 2014, bashkëshortja e gjyqtarit deklaron vetëm një pagë rreth 497 106 lekë, ndërsa më pas, ajo rezulton me disa punë paralele. Në vitin 2016, bashkëshortja e gjyqtari deklaron 48 375 lekë pagë si pedagoge e jashtme, 483 408 lekë të ardhura nga paga pranë subjektit privat ‘Albiomed’ sh.p.k, 209 610 lekë ardhura nga paga pranë subjektit privat Qendra Diagnostike Moskat dhe 96 000 lekë të ardhura nga paga pranë subjektit privat person fizik Gëzim Shaholli, ‘Medical farma’.
Gjyqtari posedon vetëm dy pasuri të paluajtshme, konkretisht një apartament me sipërfaqe 91.44 m2, me vlerë 50 292 euro, blerë me kursime, hua dhe me një kredi bankare si dhe 33% të një apartamenti banimi me sipërfaqe 68 m2, në vlerën 25 000 lekë. Në deklaratën fillestare, gjyqtari deklaron edhe 2 600 000 lekë para cash.
Ndërkaq, në vitin 2007, gjyqtari deklaron se ka blerë një autoveturë me vlerë 1 000 000 lekë. Sa i takon të ardhurave, gjyqtari deklaron vetëm pagën e tij, të ardhura nga disa projekte të ndryshme si dhe pagën e bashkëshortes.