Fokusi kryesor i takimit të djeshëm në Bratisllavë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, z. Lajçak ishte krijimi i parakushteve për përforcim të fokusit në zbatimin e plotë dhe të pakusht të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të Ohrit të datës 18 mars.
Në këtë kontekst jemi dakorduar sa vijon:
Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund të eskalojnë situatën në veriun e vendit.
Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm në masën e 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale.
Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale.
Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës.
Kosova shpreh përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve.
BE do ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt Normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.
Veprimet e sipërpërmendura do të finalizohen brenda një periudhe dyjavore.