Shqipëria renditet ndër 5 shtetet që kanë pësuar më shumë reduktim të popullsisë pas vitit 1990 në Europë. Kjo u konfirmua nga statistikat e publikuara nga Eurostat.
Në 2023, në krahasim me vitin 1990, popullsia në Shqipëri është reduktuar me 15.1%, duke zbritur në 2.761.785 banorë nga 3.254.541 që ishte në vitet e para të demokracisë.
Në vend të parë renditet Bullgaria që ka pësuar një rënie të popullsisë me 26.4% që nga 1990-, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina, me 22.4%. E treta është Kroacia me 17.9% dhe e katërta Rumania me 17.9%.
Një fakt thelbësor është rritja e popullsisë së Europës Perëndimor në krahasim me Europën Lindore. Në Bashkimin Europian me 27 anëtarë, popullsia është rritur me 7.3% që nga viti 1990.
Sipas Eurostat, pas një rënie të numrit popullsisë në 2020 dhe 2021, për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19, popullsia e BE-së u rrit në 2022, nga 446.7 milionë në 1 janar 2022, në 448.4 milionë më 1 janar 2023. Ndryshimi natyror negativ (më shumë vdekje se lindje), u tejkalua nga emigrimi pozitiv.
Rritja e popullsisë, mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së lëvizjeve të emigrantëve pas COVID-19 dhe fluksit masiv të personave të zhvendosur nga Ukraina, që morën statusin e mbrojtjes së përkohshme në vendet e BE-së, si pasojë e pushtimit rus në shkurt 2022.