Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mirëpritur pajtimin mes bllokut evropian dhe Kosovës për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
“Ne presim që Kosova të ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë dhe të vazhdojë përparimin në këtë drejtim”, shkroi Borrell në Twitter, duke shtuar se do të vazhdojë puna me palët në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.
Më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja arritën pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit. Megjithatë, ato u bën publike një ditë më pas.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi serbët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë në veri, që hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët po kërkojnë tërheqjen e plotë të njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve të rinj.
Faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja. Kosova edhe më herët nuk është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve në komunat në veri – të banuara me shumicë serbe – por zyrtarët shtetërorë kanë kërkuar që ato të përgatiten në mënyrë që të mos ketë bojkot.
Zgjedhjet e fundit në veri, ato të prillit kur u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe./ REL