Komision hetimor Tahiri është kthyer në një bumerang për ato që e kërkuan dhe tani janë fshehur, në mbledhjen e fundit u vendos që të kërkohet informacion në disa institucione shtetërore. PD vendosi të kërkojë më vete të dhëna, kryesisht sa i takon ish-ministrit Saimir Tahiri, ndërsa PS dërgoi 8 shkresa për të hetuar fenomenin e kanabisit që kur vendi drejtohej nga Sali Berisha.
Mësohet se institucione si SHISH, prokuroria, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Bujqësisë, Qendra Kombëtare e Biznesit, Gjykata e Tiranës, etj., kanë kthyer përgjigje. Ajo që bie në sy është se PS ka marrë në dorë të dhëna për dy prej pretendimeve të saj kryesore. Socialistët më herët kanë hedhur akuza se LSI ka pasur lidhje të forta me të shumëkërkuarin Klement Balili dhe i ka dhënë atij grante. Për këtë arsye socialistët ju drejtuan me një shkresë Ministrisë së Bujqësisë, për të mësuar më shumë detaje.
Ditët e fundit kjo ministri ka vënë në dispozicion të gjitha marrëveshjet që janë firmosur me familjen Balili. MB ka dorëzuar të dhëna mbi një kontratë e nënshkruar me datë 20.05.2016 midis Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë Balili&Co shpk, ku Ministria e Bujqësisë ka vënë në dispozicion të kompanisë Balili&Co shpk 21.4 hektarë tokë bujqësore në Buronj të Delvinës. Po ashtu janë dhënë informacione për një tjetër kontratë, të firmosur më 06.07.2016, vetëm dy muaj pasi Klement Balili u shpall në kërkim.
Partia Socialiste shumë shpejt pritet që të tronditë politikën. Teksa opozita ka nisur një valë sulmesh ndaj ministrit të Brendshëm, këtë herë do të jetë komisioni i ngritur për të hetuar fenomenin e drogës, ai që do të trazojë Parlamentin.
Gazeta “SOT ka mësuar se Ministria e Bujqësisë ka kryer vetë një proces auditimi për këto kontrata dhe të gjitha gjetjet tashmë janë në dorë të komisionit.