Në horizont prangat duket se po kërcasin edhe për familjarët e Sali Berishës të akuzuar si të përfshirë në afera korruptive dhe kriminale.
Bëhet fjalë për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Ai po hetohet nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Kjo dosje është drejt mbylljes dhe mësohet se në vijim SPAK do të lëshojë urdhër arreste ku në prangat e drejtësisë pritet të bien dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Zhvillimet e bujshme që e presin familjen e tij ka bërë që Berisha të dalë jashtë kontrollit ditët e fundit dhe të nisë sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe gazetarëve. Berisha në çdo dalje publike, mediatike dhe sociale në rrjetet sociale, etiketon SPAK-un si pjesë e Partisë Socialiste, madje edhe notere e mazhorancës.
Por dje ai doli nga vetja si asnjëherë më parë. Sali Berisha e humbi toruan në një konferencë shtypi kur një reporter e pyeti nëse është thirrur nga SPAK. “Je prokuror ti apo gazetar” ? foli Berisha me zë të lartë.
E më pas tha se nuk është thirrur në SPAK javën e fundit, duke shtuar se është i gatshëm të pyetet për çdo vendim që ka marrë në 32 vjet në politikë. “Nuk jam thirrur asnjëherë, jam i gatshëm të përgjigjem për çdo vendim nga viti 90 deri më sot pa asnjë lloj hezitimi. Sa herë më kanë thirrur kam shkuar dhe shkoj, nuk e mohoj asnjëherë të drejtën e hetimit, por ata bëjnë politikë”, tha Berisha.
Alarm në familjen “Berisha”
Alarmi për goditjet që po përgatit SPAK nuk po ndihet vetëm tek Berisha. Ishte gazetari Adriatik Doçi që zbuloi së fundmi se zëri i dhëndrit të Berishës sa vjen e hollohet dhe kjo sipas tij e ka një arsye shumë të fortë. Ai dha lajmin se javët e fundit, SPAK ka sekuestruar kompjuterët e kompanive të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit, në kuadër të kërkimit të provave për veprën penale të pastrimit të parave.
Kompjuterët janë sekuestruar me vendim gjykate pas kërkesës së SPAK. “Pas dy vjet ‘hetime’, vetëm ditë e fundit janë sekuestruar kompjuterat e kompanive të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit, në kuadër të kërkimit të provave për veprën penale të pastrimit të parave. Kompjuterat janë sekuestruar me vendim gjykate pas kërkesës së SPAK.
Se çfarë është gjetur në kompjuter nuk dihet, por zëri i dhëndrit mjedisor sa vjen e hollohet”, shkruan gazetari investigativ Adriatik Doçi. Edhe analistët e gazetarët paralajmërojnë se Malltezin e presin prangat.
Detajet nga hetimet e SPAK
Sinjalet se dosja ku është përfshirë familja Berisha po “qepet” u dhanë para disa javësh me lëvizjen e SPAK. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, pasi ishte ky i fundit që kallëzoi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” ku është ndërtuar një kompleks pallatesh.
Burime bëjnë me dije se orkestruesi i madh i kësaj afere Sali Berisha, bashkë me përfituesin, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi rrezikojnë prangat. Muajt e fundit kanë dhënë shpjegime para prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ish-ministrat e qeverisë “Berisha 2”, por edhe personazhe të tjerë kyçë.
\
Kjo dosje pritet të tronditë zyrtarë të nivelit të lartë dhe biznesmenë. SPAK gjatë këtyre muajve të fundit ka mbledhur të gjitha provat. Për të thelluar hetimet, përpara Taulant Ballës, ka thirrur Afrim Tolen. Ky i fundit ka qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit, për Privatizimin e Objektit “Klubi Shumë-sportësh “Partizani. Tole nuk është i vetmi që është marrë në pyetje. Kujtojmë se disa muaj më parë për të njëjtën çështje është marrë në pyetje dhe ish-drejtori i klubit Partizani, Isa Tare.
Ka dëshmuar dhe ish-gjenerali Vladimir Qirjazi, si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe për veprimet që ka kryer gjatë periudhës që i është dorëzuar shkresa për ish-kompleksin Partizani. Para hetuesve janë paraqitur ish ministrat e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa për roli e tyre në procesin e privatizimit korruptiv.
Pra dosja po “qepet” mirë dhe nga SPAK po përgatiten arrestime, ku “peshku” i parë pritet të jetë Jamarbër Malltezi.
Ju rekomandojmë