Rinisja e seancës së Kuvendit pas rrahjes që ndodhi paradite, është shënuar me tensione të radhës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës po përpiqen që të bllojkojnë punën e Kuvendit si shenjë revolte ndaj mazhorancës.
Madje, ata po mbajnë dy pankarta të mëdha ku shihet fotografia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me hundë të zgjatur që personifikon personazhin e “pinokut”, që simbolizon gënjeshtarin.
Ka pasur edhe fërkime dhe shtyrje në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalimin e tij para deputetëve pas përleshjes fizike ka thënë se rrahja mes ligjvënësve “do gjykohet nga qytetarët”, derisa i ka porositur deputetët që të vetëpërmbahen.
Gjatë fjalimit të tij, ai ka treguar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hequr dorë nga fjala e tij.
“Unë bisedova edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, ai po heq dorë nga fjala e tij të cilën e patë dhe nëse si deputetë këtu e kemi një mirëkuptim me njëri-tjetrin për ta vazhduar në një pikë tjetër, dalim në një pikë tjetër, e kalojmë krejt atë që ishte pjesa e Qeverisë dhe vazhdojmë te pyetjet parlamentare që ju vet i keni kërkuar”, tha Konjufca.
Kreu i Kuvendit ka theksuar se “kemi pasur probleme të natyrave të tjera, por jo në kuptimin fizik, e drejt fytyrës, drejt trupave me ja mësy njëri-tjetrit siç e pamë sot në Kuvendin e Kosovës”.
“Këtë nuk ia dëshirojmë askujt dhe është një sjellje e cila do të gjykohet nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe do të doja që më asnjëherë mos të përsëritet”, shtoi ai.
Ai ka theksuar se Kuvendi ka përjetuar peripeci të llojllojshme, “mirëpo së paku deri në ditën e sotme e kemi pasur një imunitet të mirë i cili është vlerësuar edhe nga bota demokratike”.
“Po ju bëj thirrje që ta merrni me qetësi punën që e bëjmë së bashku dhe të përpiqemi t’i kalojmë këto ditë të vështira. Ne nuk i kemi kursyer fjalët me të rënda për njëri-tjetrin. Në momentin që kalohet nga fjalët në veprime me goditje, tejkalojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Për sa i përket rrahjes së deputetëve, ai ka theksuar se do të merren organet e drejtësisë.