Juristi Kreshnik Spahiu ka hequr një paralele mes kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj dhe rastit të Ilir Metës, kur u kap me “presh në duar”.
Bëhet fjalë për videon e famshme me Dritan Priftin. Ilir Meta u kap me zë dhe figurë duke kërkuar para, por në atë kohë Prokuroria e Përgjithshme nuk kërkoi masë arresti për të. Ai u gjykua në gjendje të lirë, pavarësisht se u zhvesh nga imuniteti.
Ndërkohë sipas Spahiut, me rastin e Ahmetajt situata është shumë ndryshe. Sipas tij, kërkesa për arrest është shumë ekstreme.
“Nëse sot do të kishim numrin dy të opozitës për masë arresti, opozita e Shqipërisë do e votonte sot? Këtu fillon debati. Shqipëria ka hetuar dhe Ilir Metën në rrethana të ndryshme juridike dhe procedurale.
Nëse Meta ka qenë i garantuar në lirinë e tij në një proces penal, ky tjetri po shkon në masë arresti. Heqja e imunitetit të ish-liderëve demokratë ka qenë në kushte komode dhe të ndryshme nga kjo që po u bëhet zyrtarë të lartë të PS. Masa e arrestit është ekstreme”, tha Spahiu në një emision.
Më tej juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Shqipëria duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të skandaleve të shumta në qeveri, që kulmuan me rastin e Ahmetajt.
“Jam deklaruar që ditën e parë që Shqipëria duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Minimumi Rama duhet të kalonte në votëbesim.
Fenomeni nuk lindi sot, ka ekzistuar. Suksesi do të matet me drejtësinë. Në sytë e të huajve, arrestimi ish-zv.kryeministrit do të quhej sukses. Ahmetaj ishte përgatitur të ikte. Ai e kuptoi se do të arrestohej, kur u thirr në Prokurori”, tha Spahiu.
Kuvendi vendoi sot që të aprovojë kërkesën e SPAK për arrest. Votimi do të bëhet të hënën pasdite në një seancë të posaçme.