Kryeministri Edi Rama i pranishëm në Pallatin e Kongreseve foli për Reformën në Drejtësi sipas perspektivës europiane. Ai zbuloi se Partia Socialiste është përballur me momente të vështira për shkak të përpjekjeve për bllokimin e Reformës në Drejtësi.
Sipas Ramës në mandatin e parë qeverisës në vitin 2013, PS rrezikoi aq shumë për Reformën në Drejtësi aq sa për shkak të një përpjekje mund të rrëzohej edhe qeveria, në atë kohë në koalicion me LSI.
“Do e përsëris e nuk lodhem, kur ne vendosëm që Reformën në Drejtësi ta përfshijmë në programin për Rilindjen shqiptare, pati mes nesh zëra të arsyeshëm që e kundërshtuan përfshirjen në program se kjo kërkonte ndryshime kushtetuese. Ne e përfshimë se insistuam për të kundërtën. Dhe se duke marrë përsipër të qeverisim vendin në një proces kyç të vetë vendit, do të ishte e pamundur të shkonim drejt hapjes së negociatave pa Reformën në Drejtësi. Shumëkush propagandonte se s’do ja dilnim dot.
Sot reforma është e pabllokueshme, dhe kjo i dedikohet PS, kësaj force politike që mori përsipër rrezikun, e që në një moment të caktuar rrezikoi të humbte dhe qeverisjen për këtë qëllim, por patjetër që çdo gjë që erdhi më pas s’do kishin të qenë të mundura që bashkë me vullnetin tonë të palëkundur të kishim mbështetjen e popullit. Ia dolëm që në mandatin e parë të bëjmë një përmbushje historike të raporteve të klasës politike me këtë reformë që në 25 vjet nuk u ndërmor dot asnjëherë me të njëjtën fuqi dhe ambicie.
Ia dolëm që reforma në drejtësi ta kthejmë në një proces real dhe ta bëjmë të pakthyeshëm se sot është e pabllokueshme, e pavarësisht se gjithë shqiptarët janë dëshmitarë se reforma vetë është e paprekshme.
Zbatimi i kësaj reforme do ndajë politikanët që i shërbejnë vendit nga politikanët që vendin e duan si mjet për t’i shërbyer vetes”, tha Rama./BalkanWeb