Samir Handanovic do të kishte ëndërruar për një fund tjetër të historisë së tij me Interin, ose ndoshta thjesht do të kishte dashur që të ishte më e gjatë. Dy ditë pas zyrtarizimit të “divorcit” nga klubi zikaltër, mbërritën edhe fjalët lamtumirëse të portierit slloven, duke ia besuar ato rrjeteve të tij sociale.
Mesazhi është i përzemërt dhe i destinuar për ngjyrat zikaltër: shokë skuadre, tifozë dhe anëtarë të familjes së Interit në cilësi të ndryshme. Megjithatë, humori i 39-vjeçarit, kapiten i skuadrës deri një muaj më parë, është deri diku thumbues:
“Pas 11 vitesh nuk e di nëse mund të përshkruaj gjithçka… Do të përpiqem, sepse jam i hidhur dhe i trishtuar, por në të njëjtën kohë i lumtur që kam bërë realitet një ëndërr për kaq shumë kohë tek Interi. Do të më mungojë ‘San Siro, tifozët zikaltër dhe ato emocione kur stadiumi të buçasë.
Fansat zikaltër të mësojnë dhe lënë gjurmë, të tregojnë se çfarë është pasioni dhe guximi, edhe pse çdo ditë duhet të sakrifikosh veten për të ndjerë disa emocione. Kaq shumë beteja, sfidat e fituara dhe sfidat e humbura, zhgënjimet dhe gëzimet. Të jesh vetvetja për mua vlen më shume se çdo gjë në botën tonë (për futbollin e kam fjalën) hipokrite.
Përpara se të jem futbollist jam munduar të jem burrë. I falënderoj të gjithë: shokët e mi të skuadrës për kaq shumë vite si zikaltër, trajnerë, staf, mjekë, fizioterapistë, punonjës të magazinës, të gjithë bashkëpunëtorët, presidentët dhe menaxherët e këtyre viteve, që kanë qenë kaq të ndryshëm, të cilët i kam jetuar në një mënyrë kaq të thellë dhe me një ndjenjë aq të fortë përkatësie sa nuk mund ta imagjinoja më parë.
Falënderoj këndin tonë të klubit ku u hidhëruam për ndeshjet e humbura dhe festuam ato të fituara, edhe nëse shumë nuk do t’i kuptojnë kurrë ato emocione… Dua t’i kushtoj një falënderim të veçantë ‘Curva Nord’.
Krahas dashurisë për këto ngjyra, ne kemi të përbashkët mënyrën e drejtpërdrejtë, praktike, të sinqertë dhe koherente të të parit të futbollit, që nuk është ajo e fjalëve, por e qëndrimit. Sepse unë kam pasur gjithmonë një vetëdije të qartë për ndryshimin dhe respektin e ndryshëm që meritojnë ata që paguajnë për të gjykuar dhe komentuar, edhe nëse bëjnë gabime, edhe ata që paguhen për ta bërë këtë, në mënyra të ndryshme të mundshme.
Sa krenar që kam veshur këtë fanellë dhe kam mbajtur shiritin në krah. E kam jetuar këtë privilegj duke dhënë gjithmonë më të mirën time. Do të përpiqem të luaj edhe disa vite të tjera, kjo është lamtumirë, por unë do të jem gjithmonë një nga interistët me zemër. Faleminderit!”