Depozitat në paranë e gjerë kanë rënë për të 4-tin muaj me radhë gjatë Majit, sinjalizojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Kështu, depozitat në paranë e gjerë kanë zbritur pranë 1.253 trilionë lekëve në maj, nga rreth 1,253 trilionë lekë që ishin në muajin Prill.
Rënia fiksohet pranë 0.1% në terma nominal, dhe pranë 1.6 miliardë lekëve në terma absolutë. Dhe pse ritmi i tkurrjes së depozitave është ndalur krahasuar me muajt pararendës, kur fikoshej pranë rreth 1%, sërish mbetet në rënie për të katërtin muaj me radhë, që prej Shkurtit të këtij viti.
Ndërkohë, këtë vit, duket se janë “ndjegur” rreth 3.3% e depozitave në paranë e gjerë, ose rreth 42.3 miliardë lekë. Kjo shifër përkthehet në plot 395 milionë euro më pak depozita në paranë e gjerë në vetëm 4 muaj në vendin tonë, çka sinjalizon një tkurrje të konsiderueshme të kursimeve të shqiptarëve.
Në një muaj, depozitat e humbura në lekë fiksohen pranë 0.2%, ose rreth 1.35 miliardë lekë. Kjo do të thotë se rreth 83% e zhvlerësimit të depozitave është “financuar” nga ato në lekë. Depozitat në lekë në paranë e gjerë fiksohen pranë 542 miliardë lekëve në Maj të këtij viti.
Sa i përket depozitave në valutë, edhe në këtë drejtim vihet re një tkurrje gjatë Majit, por në shifra thuajse të papërfillshme, prej vetëm 270 milionë lekësh, ose 0.04% krahasuar me prillin e këtij viti.
Depozitat në valutë në paranë e gjerë fiksohen pranë një vlerë të konvertuar në lekë pranë 711 miliardë lekëve në maj të këtij viti. Por, për këto të fundit ndikon edhe efekti i kursit të këmbimit si pasojë e konvertimit në lekë për arsye statistikore.
Ndërkohë, ajo që bie në sy nga shifrat është që nëse i shohim depozitat sipas një tjetër definicioni, pra depozitat në sektorin bankar, jo në paranë e gjerë, dhe në valutë, të pakonvertuara në lekë.
Sipas këtyre shifrave kuptojmë se në Maj të këtij viti, depozitat në valuitë u ngjitën pranë 6.6 miliardë eurove, nga rreth 6.5 miliardë euro që ishin në muajin prill, në rritje me 1.7% në terma mujorë.
Kjo rritje është më e larta e regjistruar ndonjëherë për muajin maj, një muaj atipik sa i përket rritjes së depozitave në valutë, pasi historikisht ka pasur flukse më të ulta turistësh, dhe sidomos emigrantësh. Por, edhe këto tendenca janë `thyer` gjatë vitit të fundit.
Në total, vetëm në Maj, depozitat në valutë janë rritur me plot 107 milionë euro. Gjatë 5 muajve të parë të vitit, depozitat në euro në sektorin bankar në vendin tonë janë rritur me plot 287 milionë euro, sinjalizojnë shifrat zyrtare, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.
Madje, tendenca e rritjes së depozitave në valutë vihet re edhe vetëm në segmentin e individëve, çka tregon se edhe qytetarët e thjeshtë, jo bizneset dhe institucionet e tjera, kanë rritur kursimet në euro.
Këto të dhëna justifikojnë deri diku, ashtu si remitancat dhe shifrat e turistëve për muajt e parë të vitit, zhvlerësimin e euros kundrejt lekut vendas, pasi sinjalizojnë një ofertë të lartë të monedhës së përbashkët europiane.
Nga ana tjetër, agregatët monetarë gjatë majit janë të gjithë në rënie, si ato me likuiditet të lartë, ashtu edhe treguesit që sinjalizojnë likuditet të ulët. Madje, edhe treguesi i parave jashtë korporatave depozituese është në rënie në maj. Në tërësi, shifrat sinjalizojnë se ka më pak kursime në lekë, por më shumë në euro. Por, zhvlerësimi i kësaj të fundit po i varfëron edhe më tej shqiptarët.(Roel Korkuti)